Lajme

“Në letra rrezikonte 10 vite burg”, gazetari për lirimin e Jamarbër Malltezit

Gazetari Eni Ferhati ka folur në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit që i ndryshoi masën Jamarbër Malltezit nga “arrest ne burg” në “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve për tjetërsimin e pronave të ish-kompleksit Partizani në Tiranë.

Ferhati e ka quajtur këtë një “surprizë” teksa është shprehur se në letra Malltezi rrezikonte deri në 10 vite burg.

Ai tha se avokatët e Malltezit dhe Berishës kanë përdorur si strategji kapjen procedurialisht të çështjes.

“Personalisht ishte një vendim surprizues, pa i hyrë detajeve të çështjes, vetëm nga fakti që Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash që në letër rrezikon deri në 10 vite burg, fakti që në të kaluarën për individë të tjerë, zyrtarë apo personazhe me ngarkesa politike nuk kanë pasur lehtësi në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për mua është surprizues. Gjithë strategjia e avokatëve të Malltezit apo Berishës ka qenë një strategji për të kapur procedurialisht çështjen”, është shprehur Ferhati për “Now me Erla Mëhillin” në “Euronews Albania”.