Princesha Kate është rikthyer sërish në sy të publikut për të bërë një paraqitje elegante në Wimbledon. Ndërsa vazhdon t’i nënshtrohet trajtimit për kancerin, Princesha e Uellsit guxoi të jetë e pranishme në finalet e meshkujve teke midis Carlos Alcaraz dhe Novac Gjokovic. Ajo mbërriti me vajzën e saj, Princeshën Charlotte, dhe motrën, Pippa Middleton.
Kate kishte zgjedhur një fustan vjollcë nga marka britanike Safiyaa, të cilin e kishte kombinuar me një çantë të vogël ngjyrë kafe teksa nuk munguan as bizhutë plot vlerë.
Daljet publike të Kate kanë qenë të pakta që nga fillimi i këtij viti pas operacionit të saj abdominal në janar dhe lajmit për diagnozën e saj me kancer në mars. Me përjashtim të fotove të paparacëve dhe portreteve të diskutueshme mbretërore, princesha nuk u rishfaq publikisht derisa doli zyrtarisht në Trooping the Color në qershor. Ajo konfirmoi pjesëmarrjen e saj në ngjarjen ceremoniale një ditë më parë.
“Mezi pres të marr pjesë në Paradën e Ditëlindjes së Mbretit këtë fundjavë me familjen time dhe shpresoj të bashkohem me disa angazhime publike gjatë verës”, shkroi ajo në një letër personale të lëshuar nga Pallati Kensington në atë kohë.
Edhe pse familja mbretërore nuk e ka specifikuar se çfarë lloj kanceri ka ose në cilën fazë ka përparuar, Kate me anë të një deklarate njoftoi, “Trajtimi im është në vazhdim dhe do të jetë për disa muaj të tjerë. Në ditët kur ndihem mjaft mirë, është kënaqësi të angazhohem me jetën shkollore, të kaloj kohë personale për gjërat që më japin energji dhe pozitivitet, si dhe të bëj pak punë nga shtëpia”.
bal