Me rastin e përvjetorit të ndarjes nga jeta të gazetarit të “Bota Sot”, Bardhyl Ajeti, ka reaguar botuesi i kësaj gazete Xhevdet Mazrekaj.
Në një mesazh përkujtimor, ai e ka cilësuar Ajetin si simbol të fjalës së lirë dhe të gazetarisë së guximshme, duke theksuar se edhe pas 21 vitesh nga atentati dhe vdekja e tij, drejtësia për këtë rast ende nuk është vënë në vend, përcjell “Bota sot”.
Mazrekaj ka kujtuar kontributin e Ajetit në gazetarinë shqiptare dhe ka kërkuar që e vërteta për vrasjen e tij të mos harrohet.
Reagimi i plotë
Në ditën kur Bardhyl Ajeti ndërroi jetë
Sot, më 25 qershor, kujtojmë me dhimbje dhe krenari Bardhyl Ajetin, gazetarin e “Bota Sot”, i cili pas plagëve të rënda nga atentati i 3 qershorit 2005, ndërroi jetë duke lënë pas një plagë të hapur për familjen, për gazetarinë dhe për të vërtetën.
Bardhyli nuk u vra vetëm si njeri. U godit fjala e lirë, guximi qytetar dhe gazetaria që nuk pranonte të heshtte para kërcënimeve e krimit.
Kanë kaluar 21 vjet, por drejtësia ende mungon. Dhe kjo mungesë drejtësie është një dhimbje e dytë — për familjen e tij, për “Bota Sot” dhe për gjithë ata që besojnë se e vërteta nuk duhet të vritet as të harrohet.
Bardhyl Ajeti mbetet në kujtesën tonë si dëshmor i fjalës së lirë dhe si një nga emrat që i dhanë dinjitet gazetarisë shqiptare në kohë të vështira.
Lavdi kujtimit të Bardhyl Ajetit.
Drejtësia për të mbetet borxh ndaj familjes së tij, ndaj gazetarisë dhe ndaj historisë.
