Lajme

Në pritje të institucioneve të reja, shumë agjenci me ushtrues detyre

Bllokada politike dhe mungesa e institucioneve të reja kanë bërë që dhjetëra institucione shtetërore të udhëhiqen nga ushtrues detyre. Njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se kjo gjendje po rrezikon funksionimin normal të shtetit dhe të institucioneve të pavarura.

Kosova tash e një kohë të gjatë po funksionon me ushtrues detyre në shumë institucione. Pozita kryesore e shtetit, ajo e presidentit, është me ushtrues detyre, ku këtë pozitë e ka Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka edhe pozitën e kryetares së Kuvendit në detyrë, pas shpërndarjes së Kuvendit.

Kryeministri Albin Kurti vazhdon ta ushtrojë detyrën në cilësinë e kryeministrit në detyrë, deri në formimin e institucioneve të reja që dalin nga zgjedhjet e 7 qershorit. Me ushtrues detyre funksionojnë edhe një sërë institucionesh në kuadër të Ministrisë së Financave, përfshirë Thesarin, Njësinë për Inteligjencë Financiare dhe Agjencinë Qendrore të Prokurimit. Edhe në Ministrinë e Drejtësisë, disa institucione udhëhiqen nga ushtrues detyre, si Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Situatë e ngjashme është edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencia e Regjistrimit Civil funksionojnë me ushtrues detyre.

 Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se, përveç pozitave të mbajtura me ushtrues detyre, shqetësues mbetet fakti se një numër institucionesh funksionojnë me përbërje jo të plotë, ndërsa të tjera rrezikojnë të bllokohen nëse nuk konstituohen institucionet e reja.

“E shohim që shumë institucione, shumë pozita janë duke u mbajtur me ushtrues detyre dhe kjo është jashtëzakonisht problematike, mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë vetëm si rast përjashtimor që mos të krijohet ndonjë vakuum. Bazuar në gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi janë gjithsej 24 institucione apo agjenci të pavarura të cilat funksionojnë në përbërje jo të plotë apo në përbërje që pritet tu skadoj mandate”, tha Gzim Shala nga IKD.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se kjo gjendje është pasojë e drejtpërdrejtë e bllokadës politike dhe mungesës së një Kuvendi funksional.

 “Aktualisht rrezikon nëse vazhdon kjo bllokada e konstituimit të Kuvendit dhe e zgjedhjes së qeverisë që ne të përfundojmë pa zgjedhjen e dy gjyqtarëve në gjykatë Kushtetuese, vitin e ardhshëm i skadon mandati edhe pesë të tjerëve që pastaj në mungesë të parlamentit do të bllokohet në tërësi edhe puna e gjykatës kushtetuese, po ashtu kemi të bëjmë edhe me skadimin e Avokatit të Populli”, Vullnet Bugaqku nga KDI.

Sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, 24 institucione dhe agjenci të pavarura aktualisht funksionojnë me përbërje jo të plotë ose me mandate që kanë skaduar apo pritet të skadojnë së shpejti.

Në mesin e tyre janë Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zyra e Rregullatorit për Energji, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, bordi i KOSTT-it, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Të Ngjashme