Lajme

Në Shtime varroset Isuf Hoxha, iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh

Isuf Hoxhës, të cilit iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh, varroset sot (e shtunë) në orën 17:30 në Varrezat e dëshmorëve në Shtime.

Isuf Qerim Hoxha ishte arrestuar më 22 janar 1999 nga forcat serbe, ndërsa familja kishte humbur çdo kontakt me të që nga dita e arrestimit.

Pas transferimit në disa burgje, ai u dërgua në Burgun e Dubravës, ku më 22 maj 1999 u vra gjatë Masakrës në Burgun e Dubravës, raporton kosovapress.

Pas 27 vjetësh pritjeje dhe ankthi, mbetjet e tij mortore u gjetën dhe u identifikuan.

Një ditë më parë (e premte), nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u mbajt mbledhje komemorative në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së Isuf Hoxhës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, vlerësoi lart jetën dhe veprimtarinë e Isuf Qerim Hoxhës, duke theksuar se ai ishte një ndër kontribuuesit dhe mbështetësit e rëndësishëm të luftës çlirimtare deri në arrestimin e tij në janar të vitit 1999.

Ai foli për angazhimin e Isuf Hoxhës gjatë viteve ’90, për kontributin e tij në shërbim të luftës çlirimtare si dhe ndau kujtime në veçanti nga takimi i fundit në Burgun e Dubravës.

“Liria që e gëzojmë sot nuk është dhuratë. Ajo është fituar me gjak, me sakrificë dhe me kontributin e shumë burrave e grave të këtij vendi. Isuf Qerim Hoxha është njëri prej tyre, i cili dha gjithçka për lirinë e Kosovës”, tha kryetari Kastrati, duke i shprehur familjes ngushëllimet më të sinqerta në emër të Komunës së Malishevës dhe në emrin e tij personal.

Kryetari Nismës, Fatmir Limaj, vlerësoi kontributin dhe veprimtarinë e Isuf Hoxhës, duke theksuar se ai kishte kryer detyra të rëndësishme për organizimin dhe mbështetjen e luftës çlirimtare deri në arrestimin e tij.

“Isufi nuk ishte vetëm një i burgosur, por një rob lufte, ashtu si shumë luftëtarë të tjerë të UÇK-së. Historia e tij është dëshmi e sakrificës së madhe për lirinë e vendit dhe njëkohësisht kujtesë për dhimbjen e mijëra familjeve që ende presin zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”, u shpreh Limaj, duke i shprehur familjes ngushëllimet e tij.

Ndërsa, në emër të kryetarit të Komunës së Shtimes, Anita Kurti u shprehu ngushëllime familjarëve dhe vlerësoi lart kontributin e Isuf Qerim Hoxhës në luftën çlirimtare.

Në fund të mbledhjes komemorative, në emër të familjes, mbesa e Isuf Qerim Hoxhës, Erolinda Hoxha, falënderoi Komunën e Malishevës, institucionet dhe të gjithë pjesëmarrësit për organizimin e mbledhjes komemorative dhe për mbështetjen e treguar ndaj familjes në këtë moment të rëndë.

Të Ngjashme