26.10.2026 – 07:39
“Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime” – letra që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”/
Këto fjalë i shkroi Arlinda Sylaj Zekaj në një letër drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo u vra mizorisht në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ndërsa për krimin dyshohet kunati i saj.
Media ka siguruar letrën e Arlindës, përmes së cilës ajo kërkonte ndërhyrje urgjente të institucioneve, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave.
Letra, e adresuar për Kryeprokuroren dhe e shënuar si urgjente, përmban një paralajmërim tronditës për rrezikun që viktima ndiente ndaj jetës së saj.
Në të, ajo kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke pretenduar se përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.
Arlinda kishte kërkuar gjithashtu ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.
“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, përpara se të shprehte frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.
Në fund të letrës, Arlinda kishte shkruar edhe fjalët:
“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”
Tri ditë pas pranimit të kësaj letre në Prokurori, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në dhomën e gjumit, në shtëpinë e saj në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë.
26.10.2026 – 07:39
Pak pasi u arrestua burri, kunati kreu veprën- Policia jep detaje për rastin e vrasjes së gruas në Pejë
Policia e Kosovës ka bërë të ditura detaje për rastin e rëndë në Vitomiricë të Pejës, ku një grua u gjet e vrarë të dielën në mbrëmje, pak para se rasti i dhunës në familje ishte raportuar në polici.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 19:00, zyrtarët e e Policisë në Pejë kishin pranuar një raportim për dhunë në familje. Gruaja ishte dërguar në stacion, ku ishte intervistuar, ndërsa intervistimit i ishte nënshtruar edhe bashkëshorti i saj, i cili ishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
Pas përfundimit të procedurave, gruaja ishte kthyer në shtëpinë e saj në Vitomiricë me vullnetin e saj.
Rreth orës 21:10, policia mori njoftimin se ajo ishte gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes dolën njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili konstatoi vdekjen.
“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, i dyshuari për rastin e dytë, i cili dyshohet të jetë kunati i viktimës, vazhdon të jetë në arrati.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Policia ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes dhe për gjetjen e arrestimin e të dyshuarit.
