Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se në të gjitha xhamitë e Kosovës, gjatë hytbes së xhumasë, është bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Sipas njoftimit të BIK-ut, kjo thirrje është bërë me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, i cili ka shprehur përkrahjen e tij për këtë nismë.
Në mesazhin e hytbes së xhumasë, besimtarët janë ftuar të marrin pjesë në marsh, i cili është organizuar në shenjë solidariteti dhe përkrahjeje për ish-krerët e UÇK-së.
“Ky është një tubim qytetar në mbështetje të lirisë, drejtësisë, dinjitetit dhe kujtesës sonë kombëtare, si dhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së. Le të jemi të bashkuar, të qetë dhe dinjitozë. Le ta dëshmojmë se nuk harrojmë sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës dhe se kërkesa jonë është drejtësia dhe trajtimi i drejtë”, thuhet në mesazhin e hytbes.
BIK-u ka rikujtuar gjithashtu se ditë më parë, Myftiu Naim ef. Tërnava ka pritur në takim përfaqësuesit e organizatës “Liria ka emër”, të kryesuar nga Eliza Hoxha.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi, Myftiu Tërnava ka shprehur përkrahjen e tij për organizimin e marshit të 12 shtatorit në Prishtinë.
