Nëna e Sibela Abedinit, e cila vrau veten tre ditë më parë duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit në Kamzë, tregoi sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” se si Sibela u njoh me Altin Çokun.
E ëma e Sibelës tha se fillimisht ka punuar ajo vetë si pastruese në shtëpinë në e Altin Çokut e më pas vajza. Altin Çoku është personi që çoi drejt vetëvrasjes Sibela Abedinin, pasi publikoi në TikTok foto intime nga një dhomë hoteli me 27-vjeçaren fatkeqe, nënë e një vajze 2 vjeçe.
Lidhur me këtë nëna e Sibelës tha se vajza e saj punoi dy ditë në apartamentin e Çokut. Ditën e parë ai i dha 20 mijë lekë të vjetra, ndërsa ditën e dytë një çantë me lodra për Ambrën (vajzën e Sibelës). E ëma e 27-vjeçares rrëfeu se pas ditës së dytë, Sibela nuk shkoi me në shtëpinë e Altin Çokut për ta pastruar, pasi sipas saj ai i kishte thënë se do të shkonte në Itali.
Ajo tha se nuk kishte kuptuar asgjë të dyshimtë te vajza e saj dhe se gjithmonë ajo ktheje nga puna e buzëqeshur dhe luante me Ambrën e vogël.
Nëna e Sibelës: E mora në telefon (Altin Çoku) i thashë ku je se po vij me gocën. Ku e ke gruan i thashë…më tha është te spitali se e kam të sëmurë… Punova dy ditë aty…pastaj gjeta një punë tjetër në Bathore dhe më tha goca me që të punojë ajo atje te Altini dhe unë në Bathore…ditën e parë shkoi me gocën e i dha 20 mijë lekë. Ditën e dytë shkoi vetëm dhe nuk i dha lekë..ditën e dytë i dha çantë me lodra për Ambran. Ditën i dytë Altini i tha Sibelës tha hajde kur të lajmëroj unë se unë do shkoj në Itali.. Sibela ishte e qetë kur u kthye nga puna.. Pas 5 me 6 ditësh që nuk punoi aytje, goca vrau veten. Erdhi nga puna tu qesh, tu lujt. Po të më thonte mami kam një kërcënim…o do ta vrisja unë fëmijën para se të ma vriste ai ose do shkoja në polici.
Sibela Abedini i ka dha fund jetës 3 ditë më parë në Kamzë, duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte me qira. Ajo ishte nëna e një vajze dy vjeçe, e cila tashmë ka mbetur e vetme, për shkak se nëna zgjodhi të vetëvritej nga bullizimi në Tik Tok.
E reja ishte e martuar në Kosovë dhe prej dy vitesh ishte bërë nënë, por marrëdhënia e tyre ishte në krizë dhe 27 vjeçarja kishte ardhur të jetonte pranë familjes së saj në Kamzë.
Këtu, shtetësja me inicialet S.A ishte njohur me personazhin e Tik Tok-ut, shtetasin Altin Çoku me të cilin kishte kaluar dhe një natë në hotel, sipas deklarimeve të këtij të fundit. Gjatë kohës që qëndronin bashkë, ata kishin shkrepur dhe një fotografi që ishte publikuar në rrjetet sociale.
Është pikërisht kjo fotografi e publikuar në Tik Tok me komente nga më denigrueset nga llogari false, që ka bërë që vajza S.A të ndërmerrte aktin tragjik të vetëvrasjes, në kushte të rënduara psikologjike.
“Më datë 10.02.2024, rreth orës 23.00, në rrugën “Teuta”, ka rënë nga lartësia e një pallati 4 katësh, shtetasja S. A., 27 vjeçe, banuese me qira po në këtë adresë. Si pasojë e dëmtimeve të marra, kjo shtetase ka ndërruar jetë në spital. Janë kryer veprimet e para procedurale dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi Policia e Tiranës.
Ndërkohë, dje u bë dhe arrestimi në kushtet e flagrancës i shtetasit Altin Çoku, pasi akuzohet se ka publikuar fotografinë e vajzës në rrjetet sociale.
Në një komunikim live në Tik Tok para arrestimit, Altin Çoku është shprehur se fotografinë e ka publikuar një shoku i tij, por pavarësisht pretrendimeve, Policia e Tiranës e ka arrestuar atë në kushtet e flagrancës duke e akuzuar për veprën penale “Shkaktim vetëvrasje”.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: Altin Çoku, 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo