Lajme

Nënshkruhet marrëveshja për shtrirjen e sistemit të ujitjes në tri fshatra të Mitrovicës

Është nënshkruar marrëveshja për shtrirjen e sistemit të ujitjes në fshatrat Pirq, Vernicë dhe Vaganicë të Komunës së Mitrovicës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, përmes një postimi në Facebook.

Sipas Mujës, projekti do të mundësojë ujitjen e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore, duke krijuar kushte më të favorshme për rritjen e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në këtë zonë.

“Edhe 500 hektarë tokë bujqësore me sistem të ujitjes në Mitrovicë. Sot, në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Iber-Lepenc”, Faruk Mujka, nënshkruam marrëveshjen për shtrirjen e sistemit të ujitjes në fshatrat Pirq, Vernicë dhe Vaganicë. Përmes kësaj marrëveshjeje do të mundësohet ujitja e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore, duke krijuar kushte më të mira për rritjen e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në këtë rajon. Urime fermerëve dhe bujqve mitrovicas për këtë investim të rëndësishëm, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e kushteve të punës në sektorin e bujqësisë”, ka shkruar ai.

Marrëveshja ndërmjet MBPZhR-së, Komunës së Mitrovicës dhe Ndërmarrjes Hidroekonomike Ibër-Lepenc është nënshkruar në prani të Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti./teve1.info/

Të Ngjashme