Një mënyrë ndryshe se si t’i gatuani fasulet duke i kombinuar me përbërës të tjerë.
Vijnë në tryezën tuaj në një tjetër formë nga ajo që jeni mësuar t’i gatuani gjithmonë.
Përbërësit:
1 kg fasule
2 qepë
2 karota
3 lugë gjelle majdanoz i grirë
3 gjethe selino
200 gr salcë domatesh
4 thelpinj hudhër
1 gjethe dafine
1 filxhan vaj ulliri
Përgatitja:
I vendosim fasulet në një tenxhere me ujë dhe i lëmë gjatë gjithë natës. Të nesërmen i kullojmë, i shpërlajmë dhe i vendosim në zjarr me ujë dhe me kripë që të ziejnë për rreth 30-40 minuta.
I largojmë nga zjarri dhe i kullojmë me anë të një kullese duke i lënë më pas mënjanë.
Në një tenxhere shtojmë qepën, karotat dhe selinon dhe i kavërdisim me vaj për rreth 3-4 minuta.
Më pas shtojmë hudhrën, salcën, kripën, piperin dhe majdanozin e grirë. Në të shtojmë edhe fasulet e ziera dhe i përziejmë për disa minuta.
Hedhim në të 3 filxhanë çaji me ujë dhe i lëmë të ziejnë edhe për 2-3 minuta. Ndërkohë ndezim furrën në temperaturën 180 gradë. Masën e përgatitur e hedhim në tavën për pjekje. E vendosim në furrë që të piqet për rreth 40 minuta.