Lajme

Nesër Kuvend, Berisha: Rama ka urdhëruar Gardën të shtypin revoltën e deputetëve

Nesër pritet një ditë e tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë, pasi opozita ka paralajmëruar vazhdimësinë e kauzës së tyre.

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në rrjetet sociale pretendon se seanca plenare do të jetë e rrethuar nga forcat speciale me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Sipas Berishës  përfaqësuesit e popullit opozitar nesër në betejën e tyre pa kthim, me guxim, vendosmëri do të mbrojnë fuqishëm dhe të pamposhtur pluralizmin politik.

“Ky është parlamenti i diktaturës së bandave! Edi Rama është i tmerruar nga mosbindja civile e deputetëve të opozitës. Ai ka urdhërua forcat speciale të gardës, policisë, Renean që të shtypin ditën e hënë revoltën e deputetëve të opozitës që protestojnë për të drejtat kushtetuese të popullit opozitar dhe përfaqësuesve të tij në parlament.

Ai nesër ka parashikuar që me forcë, dhunë dhe terror të kalojë në parlament buxhetin e vjedhjes më të madhe dhe gjobave më të rënda për qytetarët në historinë e vendit e të miratojë buxhetin antiligjor, antikushtetues, të Zoom-it dhe mejhaneve.

Për të realizuar këtë, ai prej dy ditësh ka urdhëruar prova të përgjithshme të forcave speciale të gardës, Reneas dhe njesive speciale të policisë në sallën e Parlamentit, mjediset tjera, brenda dhe përreth ndërteses dhe oborrin e Parlamentit. Përfaqësuesit e popullit opozitar nesër në betejën e tyre pa kthim, me guxim, vendosmëri do të mbrojnë fuqishëm dhe të pamposhtur pluralizmin politik, të drejtat e tyre kushtetuese, intersat e popullit opozitar në Parlament! Asgjë nuk mund të mposht opozitën e të drejtave të mohuara në betejën e saj pa kthim deri në fitore!” shkuan Berisha në reagim.