Lajme

Nga ekonomia te drejtësia, Bedri Hamza prezanton pesë zotimet kryesore

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar pesë prioritetet kryesore të programit të tij qeverisës, duke premtuar ndryshim dhe dalje nga kriza aktuale në vend.

Hamza tha se fokusi i tij do të jetë përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve përmes uljes së çmimeve dhe tatimeve, rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe mbështetjes për sektorin privat.

Ai premtoi se familjet kosovare do të kenë më shumë të ardhura dhe kushte më të mira jetese.

Një tjetër prioritet i tij është zhvillimi ekonomik përmes investimeve në energji, infrastrukturë dhe teknologji moderne, me synimin që Kosova të ecë më shpejt në zhvillim dhe të jetë konkurruese në rajon.

Në fushën e shëndetësisë, Hamza u zotua për shërbime më cilësore dhe më të qasshme, duke përfshirë sigurime shëndetësore dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike.

Ai foli edhe për arsimin, duke premtuar më shumë mundësi për të rinjtë, bursa studimi dhe aftësim profesional të përshtatur me tregun e punës.

Ndërkaq, si pikë të pestë të programit të tij, Hamza përmendi forcimin e drejtësisë, duke premtuar sistem të pavarur dhe efikas, me zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët.

Në fund të mesazhit të tij, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhje ta mbështesin PDK-në dhe kandidaturën e tij për kryeministër.

 

Të Ngjashme