Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” i hedhur për konsultim sjell një rishkrim të plotë të kuadrit që rregullon bankën qendrore. Ai synon të zëvendësojë ligjin nr. 8269 të vitit 1997, të ndryshuar disa herë gjatë tri dekadave të fundit.
Dokumenti e vendos reformën në kuadër të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe përafrimit me rregullat që zbatohen për bankat qendrore kombëtare të vendeve anëtare. Projektligji i referohet drejtpërdrejt Traktatit për Funksionimin e BE-së dhe Statutit të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe Bankës Qendrore Evropiane.
Ndryshimet kyce prekin mënyrën se si Banka e Shqipërisë financon operacionet e veta, ndërvepron me qeverinë, mbështet bankat në krizë, administron fitimin dhe organizon drejtimin e institucionit. Mandati zgjerohet për të përfshirë në mënyrë të shprehur stabilitetin financiar, politikën makroprudenciale dhe funksionet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
Projektligji vendos kapital të nënshkruar prej 6 miliardë lekësh dhe parashikon një rezervë të përgjithshme që duhet të arrijë të paktën pesëfishin e këtij kapitali. Ai krijon gjithashtu një mekanizëm të detyrueshëm rikapitalizimi nga qeveria nëse kapitali bie nën nivelin ligjor.
Një tjetër ndryshim është ndalimi më i fortë i financimit monetar të qeverisë. Kredia afatshkurtër për buxhetin, e lejuar nga ligji aktual brenda kufijve të caktuar, hiqet nga kuadri i ri.
Drafti krijon edhe bazën ligjore për emetimin e një monedhe digjitale të bankës qendrore, të emërtuar “Lek” digjital, me status kursi ligjor. Rregullat e reja ndryshojnë procedurat për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit, forcojnë kriteret profesionale dhe vendosin garanci të reja për mandatet e tyre. Në të njëjtën kohë, rishikohen sistemi i pagave, auditimi dhe kontrolli publik i institucionit.
Projektligji ruan Këshillin me nëntë anëtarë dhe mandatin shtatëvjeçar, por ndan më qartë rolin politikëbërës të Këshillit nga funksioni ekzekutiv i Guvernatorit. Ai parashikon gjithashtu dy etapa të ardhshme: rregulla që hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe rregulla të tjera që aktivizohen kur vendi të adoptojë euron. Mëposhtë disa nga ndryshimet kryesore.
Financimi i qeverisë nga Banka e Shqipërisë
Si është: Ligji aktual e ndalon në parim financimin e qeverisë, por më pas lejon që Banka e Shqipërisë t’i japë asaj kredi ose hua në lekë me maturim deri në gjashtë muaj. Shuma normale mund të arrijë deri në 5% të mesatares së të ardhurave buxhetore të tri viteve të fundit. Në rrethana të jashtëzakonshme, kufiri mund të rritet përkohësisht në 8%.
Si do të bëhet: Projektligji ndalon shprehimisht çdo kredi, overdraft, linjë kredie apo formë tjetër financimi, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për qeverinë, institucionet qendrore e vendore dhe subjektet e tjera publike. Banka lejohet të kryejë pagesa për qeverinë vetëm brenda fondeve që ndodhen realisht në llogaritë e saj.
Blerja e titujve të qeverisë
Si është: Ligji në fuqi lejon Bankën e Shqipërisë të blejë dhe të shesë letra me vlerë të qeverisë. Blerjet për llogari të saj trajtohen si kredi për qeverinë dhe i nënshtrohen kufijve të financimit, me përjashtim të rasteve kur lidhen me objektivin e stabilitetit të çmimeve ose me investimet e fondit të pensionit.
Si do të bëhet: Rregulli i ri është që titujt e sektorit publik nuk mund të blihen në tregun primar dhe mund të blihen vetëm në tregun sekondar. Projektligji lejon një përjashtim: blerjen në tregun primar për riinvestimin e shumave që vijnë nga maturimi i titujve ekzistues, me maturitet jo më të gjatë, njoftim paraprak dhe çmim tregu.
Kapitali i Bankës së Shqipërisë
Si është: Ligji aktual përcakton një fond themelimi prej 750 milionë lekësh, në pronësi ekskluzive të shtetit. Fondi mund të rritet me propozim të Bankës së Shqipërisë dhe me miratimin e Ministrisë së Financave.
Si do të bëhet: Projektligji vendos kapital të nënshkruar prej 6 miliardë lekësh, të paguar plotësisht dhe në pronësi të shtetit shqiptar. Kapitali nuk mund të transferohet, përdoret si garanci, sekuestrohet ose zvogëlohet. Rritja fillestare do të financohet nga rezervat e posaçme të Bankës dhe, vetëm nëse ato nuk mjaftojnë, nga Ministria e Financave.
Rezerva e përgjithshme dhe baza financiare
Si është: Ligji aktual parashikon kalimin e 25% të fitimit neto çdo vit në fondin e rezervës së përgjithshme, derisa ai të arrijë 500% të fondit të themelimit. Pjesa tjetër e fitimit mund të transferohet në buxhet, pasi të kryhen zbritjet dhe kompensimet ligjore.
Si do të bëhet: Rezerva e përgjithshme duhet të jetë të paktën 500% e kapitalit të nënshkruar, që me kapitalin e ri prej 6 miliardë lekësh nënkupton një minimum prej 30 miliardë lekësh. Ajo mund të përdoret vetëm për mbulimin e humbjeve ose për rritjen e kapitalit. Këshilli mund të krijojë edhe rezerva të tjera për rreziqe financiare specifike.
Rikapitalizimi nga qeveria
Si është: Kur vlera e aktiveve të Bankës bie nën detyrimet dhe fondin e themelimit, ligji aktual kërkon që Ministri i Financave t’i transferojë Bankës letra me vlerë shtetërore të tregtueshme me norma interesi tregu.
Si do të bëhet: Projektligji e lidh ndërhyrjen me nivelin e kapitalit të nënshkruar. Nëse kapitali bie nën këtë nivel, nuk transferohet fitim në buxhet dhe qeveria, me kërkesë të Bankës, duhet ta rikapitalizojë atë brenda vitit financiar. Transferimi mund të bëhet në para ose me tituj të tregtueshëm me normë dhe karakteristika tregu.
Shpërndarja e fitimit
Si është: Sipas ligjit aktual, 25% e fitimit neto kalon në rezervën e përgjithshme derisa të arrihet kufiri ligjor. Pas kompensimit të titujve që mund t’i jenë dhënë Bankës për mbulimin e mungesës së aktiveve, pjesa e mbetur transferohet në buxhetin e shtetit brenda katër muajve nga mbyllja e vitit.
Si do të bëhet: Fitimi do të përdoret fillimisht për mbulimin e humbjeve, më pas për plotësimin e rezervës së përgjithshme dhe rezervave të posaçme. Vetëm pjesa që mbetet transferohet në buxhet. Projektligji ndalon që Banka të detyrohet të transferojë një shumë ose përqindje fikse pa marrë parasysh rezultatin financiar, kapitalin dhe rezervat.
Objektivat e Bankës së Shqipërisë
Si është: Ligji aktual përcakton stabilitetin e çmimeve si objektivin kryesor. Objektivat e tjera lidhen me zhvillimin e sistemit financiar, sistemin e pagesave, likuiditetin, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar.
Si do të bëhet: Projektligji krijon një rend të drejtpërdrejtë objektivash. Në vend të parë mbetet stabiliteti i çmimeve; në vend të dytë vendoset kontributi në stabilitetin financiar. Vetëm pa cenuar këto dy objektiva, Banka mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të qeverisë dhe vepron sipas parimeve të ekonomisë së hapur dhe konkurrencës së lirë.
Politika makroprudenciale
Si është: Ligji aktual i jep Bankës përgjegjësi për licencimin, mbikëqyrjen dhe qëndrueshmërinë e bankave. Ai përmend likuiditetin, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar, por nuk e përcakton politikën makroprudenciale si detyrë të veçantë.
Si do të bëhet: Projektligji e rendit politikën makroprudenciale mes detyrave themelore të Bankës. Këshilli do të miratojë strategjinë, aktet rregullatore dhe aktivizimin e instrumenteve makroprudenciale. Parashikohet edhe krijimi i Komitetit të Stabilitetit Financiar, i cili do të këshillojë Këshillin dhe Guvernatorin për këto politika.
Likuiditeti emergjent për bankat
Si është: Ligji aktual lejon kredi për bankat me afat jo më të gjatë se 92 ditë dhe kundrejt garancive të caktuara. Për bankat nën kujdestari, Banka e Shqipërisë mund të japë edhe kredi të pagarantuara ose të siguruara me mjete të tjera, kur e vlerëson të nevojshme për integritetin e sistemit bankar.
Si do të bëhet: Linja e likuiditetit mund t’i jepet një institucioni krediti që ka aftësi paguese, por përballet me mungesë të përkohshme likuiditeti në rrethana të jashtëzakonshme. Kërkohet kolateral i mjaftueshëm dhe normë interesi penalizuese. Kredia jepet me këste, rishikohet periodikisht dhe mund të zgjasë deri në 12 muaj.
Financimi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave
Si është: Ligji në fuqi parashikon se Banka e Shqipërisë mund t’u japë kredi bankave që mbajnë llogari në regjistrat e saj, ndërsa për bankat nën kujdestari mund të japë edhe kredi të pagarantuara ose të garantuara me mjete të tjera, kur kjo vlerësohet e nevojshme për ruajtjen e integritetit të sistemit bankar. Në dispozitat e ligjit aktual të krahasuara këtu nuk përcaktohet një mekanizëm i posaçëm financimi për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.
Si do të bëhet: Projektligji parashikon shprehimisht se, “kur stabiliteti financiar është në rrezik”, Banka e Shqipërisë mund të lidhë marrëveshje financimi afatshkurtra me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Financimi jepet kundrejt garancisë me tituj të emetuar nga qeveria dhe në pronësi të Agjencisë, ndërsa Këshilli vendos për dhënien, vazhdimin, ndryshimin ose ndërprerjen e kësaj mbështetjeje.
Leku digjital
Si është: Ligji aktual njeh lekun si njësinë monetare dhe i jep Bankës së Shqipërisë të drejtën ekskluzive për emetimin e kartëmonedhave dhe monedhave metalike. Këto kanë kurs ligjor dhe pranohen për pagesën e detyrimeve publike dhe private.
Si do të bëhet: Projektligji shton monedhën digjitale “Lek” përkrah kartëmonedhave dhe monedhave metalike. Ajo do të ketë kurs ligjor dhe do të pranohet në vlerë nominale për shlyerjen e detyrimeve publike dhe private. Banka do të ketë të drejtën ekskluzive të emetimit dhe vlera e saj në qarkullim do të regjistrohet si detyrim në pasqyrat financiare.
Sistemet e pagesave dhe subjektet financiare
Si është: Ligji aktual i jep Bankës së Shqipërisë të drejtën të organizojë shlyerjen, klerimin dhe mbikëqyrjen e sistemit të pagesave. Dispozitat janë të përqendruara kryesisht në marrëdhënien me bankat dhe sistemin ndërbankar.
Si do të bëhet: Projektligji e zgjeron listën e subjekteve që mund të mbajnë llogari pranë Bankës. Ajo përfshin institucione pagesash, institucione të parasë elektronike, operatorë sistemesh, depozitarë qendrorë të titujve dhe kundërpalë qendrore. Banka mund t’u ofrojë pjesëmarrësve të sistemeve të pagesave edhe kredi brenda ditës.
Qeverisja, emërimi dhe shkarkimi i Këshillit
Si është: Këshilli aktual ka nëntë anëtarë, me mandat shtatëvjeçar. Pesë kandidatë propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një nga vetë Këshilli. Kandidatëve u kërkohet arsim ekonomik ose juridik dhe më shumë se pesë vjet përvojë në administratë ose në sektorin financiar e bankar.
Si do të bëhet: Numri i anëtarëve dhe mandati mbeten të pandryshuar, por kriteret rriten në mbi 10 vjet përvojë drejtuese ose akademike. Fushat e kërkuara zgjerohen në ekonomi, financë, banka, administrim rreziku, ligj dhe auditim. Shkarkimi lidhet me kushte të përcaktuara në ligj dhe anëtari mund ta çojë procedurën në Gjykatën Kushtetuese, duke pezulluar shqyrtimin parlamentar.
Pagat, auditimi dhe raportimi publik
Si është: Këshilli përcakton shpërblimin e anëtarëve, Guvernatorit, zëvendësguvernatorëve dhe personelit. Ligji aktual ka një Inspektor të Përgjithshëm të emëruar nga Kuvendi për pesë vjet. Banka paraqet çdo gjashtë muaj një deklaratë për politikën monetare në Kuvend dhe Këshillin e Ministrave.
Si do të bëhet: Pagat dhe përfitimet nuk mund të ulen, ndërsa paga bazë e personelit indeksohet çdo vit me inflacionin dhe përcaktohet jashtë skemës së administratës publike. Inspektori zëvendësohet nga Drejtori i Auditimit të Brendshëm, i emëruar nga Këshilli, dhe krijohet Komiteti i Auditimit. Raportimi formal bëhet ekskluzivisht ndaj Kuvendit, një herë në vit dhe sa herë kërkohet prej tij, ndërsa raportet periodike monetare dhe financiare publikohen nga Banka./Monitor
