Lajme

Nga Vlora Begaj uron Pavarësinë: Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo në botë

Presidenti Bajram Begaj ka uruar nga Vlora të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë së Shqipërisë. Përmes një postimi në “Facebook”, Begaj shkruan se Dita e Flamurit, si simboli më përfaqësues e më përbashkues i kombit, është festa më e bukur e shqiptarisë.

Kreu i shtetit ndër të tjera thekson se vendi ynë edhe në vijim të udhëhiqet nga qëllime të larta, ku më i larti është mbrojtja e vlerave të paqes, demokracisë dhe prosperitetit të Shqipërisë.

“Nga Vlora, uroj të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe kudo në botë: Gëzuar Festën e Pavarësisë!

Dita e Flamurit, si simboli më përfaqësues e më përbashkues i kombit, është festa më e bukur e shqiptarisë.

Sot jemi shtet i pavarur në sajë të mençurisë, guximit dhe vendosmërisë së patriotëve shqiptarë 111 vjet më parë në emër të dashurisë për atdheun dhe kombin, në emër të dashurisë për këtë flamur, në emër të lirisë.

Liria sjell përgjegjësi.

Le të na shërbejë modeli frymëzues i etërve themelues,të cilët dhanë gjithçka për Shqipërinë e lirë e të pavarur, si udhërrëfyes në çdo punë që bëjmë për vendin dhe për shqiptarët.

Të udhëhiqemi nga qëllime të larta, më i larti prej të cilëve është mbrojtja e vlerave të paqes, demokracisë dhe prosperitetit të Shqiperisë.

Gëzuar! “ shkruan Begaj.

Vlora, ka pritur këtë të martë 28 Nëntor krerët më të lartë të dy shteteve shqiptare, për të festuar 111 vjetorin e flamurit dhe Pavarësisë. Atje ndodhen presidenti Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Nikolla dhe i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.