Lajme

Ngjarja në Roskovec/ U mor peng për 400 mijë £ në 2022-shin, paratë e drogës, ja e shkuara e Refit Buzit

Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal në Britaninë e Madhe dyshohet se u bënë shkak fillimisht për ndarjen mes Refit Buzit dhe Rozalinda Plakës, ngjarje e cila ditën e premte përfundoi me 3 viktima.

Konfliktet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme, ku sipas familjarëve të vajzës, Refit Buzi i njohur edhe si Nertil Buzi i ka drejtuar të resë edhe armën, ndërsa u vu në arrest disa herë, duke u liruar sërish. Situata përshkallëzoi ditën e djeshme, ku Refit Buzi vrau prindërit e ish-partneres, mori peng këtë të fundit dhe pas 8 orësh u vetëvra, duke mos pranuar të dorëzohej, pavarësisht negociatave të forcave të policisë.

Në një intervistë të dhënë për mediat, prindërit e Refit Buzit hodhën akuza të forta ndaj familjes Plaka, duke deklaruar se djali i tyre i kishte dërguar Rozalindës rreth 180 mijë paund gjatë kohës kur jetonte në Britaninë e Madhe, para që familja e saj refuzoi t’ia kthente.

Në Britaninë e Madhe, Refit Buzi ka qenë i përfshirë në prodhimin e lëndëve narkotike, ku në vitin 2022 u mor peng dhe u dhunua nga 7 shqiptarë për 12 ditë me radhë, të cilët i kërkonin familjes së tij në këmbim të lirisë 400 mijë paund.

Në pamundësi për të siguruar këtë shumë marramendëse, vëllai i Refit Buzit denoncoi rastin, duke vënë në lëvizje autoritetet policore në Shqipëri dhe në Britaninë e Madhe. Më tej, 8 hetues britanikë zbuluan se pengu mbahej në një strukturë në Michingan, ku u arrestuan 7 shqiptarë, ndër ta edhe një vajzë, të gjithë me precedentë penalë. Pas kësaj ngjarjeje, Refit Buzi u rikthye në Shqipëri, ku nisën edhe konfliktet për kthimin e parave mes tij, ish të fejuarës Rozalinda Plaka dhe prindërve të saj, të cilët dyshohet se refuzuan t’ia kthenin.

Po sipas prindërve të Refit Buzit, familja Plaka nuk ka pranuar as të binte në ujdi me ta, për t’iu kthyer vetëm gjysmën e parave, duke shkaktuar kështu një tragjedi me 3 viktima. Megjithatë, do të jetë dëshmia e Rozalinda Plakës ajo që mund të hedhë dritë mbi këtë ngjarje, ku mbetën të vrarë prindërit e saj dhe ish-partneri me të cilin ka pasur një lidhje 9-vjeçare.

Të Ngjashme