Lajme

Nikolla urdhëroi rrethimin e Kuvendit të hënën, Bardhi: Dënojmë aktin e paligjshëm

Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se opozita është njohur sot me urdhrin e kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës.

Të hënën, 20 nëntor, në kuvendin e Shqipëerisë do të zhvillohet seancë parlamentare për projekt buxhetin e 2024-ës.

Nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale, Bardhi e ka cilësuar urdhrin për rrethimin e sallës nga Garda e Republikës “të paligjshëm”. Bardhi thotë se një gjë e tillë “shpall zyrtarisht shtetin autokrat të Edi Ramës”, ndërsa dënon rrethimin e parlamenntit nga Garda.

“Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës. Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE”, thotë Bardhi.

Kujtojmë se ditën e djeshme, ish-kryeministri, Sali Berisha, bëri me dije se opozita do të bllokojë parlamentin ditën e hënë. Ai tha se opozita shqiptare ka nisur një betejë pa kthim, e cila do të vazhdojë deri sa të respektohen të drejtat kushtetuese të popullit opozitar.

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikohet në vlerën e 7.2 miliardë eurove, rreth 9% më i lartë se viti aktual, ndërsa një pjesë e rëndësishme e tij është mbështetja për reformën e pagave në administratën publike. Qeveria pritet të rrisë edhe të ardhurat e mbledhura duke i dërguar në kufirin 30% të PBB-së.

Seancat e fundit në Kuvendin e Shqipërisë kanë qenë kaotike, me deputetët e Partisë Demokratike që janë shprehur se nuk do të lejojnë që seancat të zhvillohen normalisht deri sa të pranohen kërkesat e tyre për komisionet hetimore.

Reagimi i plotë nga Gazment Bardhi

Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës! Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës. Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës.