Është bërë bujë kohëve të fundit ndërrimi i emrit të Universitetit “Hasan Prishtina”. Lidhur me këtë kanë reaguar shumë deputetë e organizata kundrejt ministrisë së Arsimit.
Lidhur me këtë ka folur stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.
Ai thotë se më mirë është të merret me universitetin në Mitrovicë të Veriut, i cili vepron me plan-program të Serbisë, sesa të fillojë një nismë mbrapsht për ndërrimin e emrit të Universitetin të Prishtinës.
“Mendoj se ndryshimet statusore në Universitetin e Prishtinës janë gjithmonë të nevojshme, por kanë filluar mbrapsht”, tha Prishtina në Klan Kosovës.
“Tash një vit, rektori i zgjedhur në mënyrë të paligjshme, e kjo çështje është në Gjykatë të Apelit, dhe sinqerisht kur i shoh këto nisma të mbrapshta e të dëmshme, që dëmtojnë procesin e memories sonë kolektive, trashëgimisë tonë kulturore, për t’i prekur ose hequr pas 10 ose 12 vitesh emërtimet, siç është emri i Hasan Prishtinës, kryeministrit të tetë të Shqipërisë, i themeluesit të Shtetit Shqiptar, i çlirimtarit dhe jo vetëm, por ai ka qenë truri, ideologu i çlirimit të Kosovës”.
“Tani na vjen një rektor që është i kundërligjshëm, siç është Qerim Qerimi, me një propozim të nevojave të reformave, me argumentim se Universiteti i Prishtinës ka pësuar ndryshime dhe kjo po e dëmton arenën ndërkombëtare”.
“Ekziston edhe një universitet në Mitrovicë të Veriut, qe vetëquhet Universiteti i Prishtinës, në fakt ai është universiteti serb, i cili punon me plan-program të Serbisë, është komplet ilegal, dhe ky problem duhet të zgjidhet në vijën politike, domethënë është detyrë e qeverisë, e ministres së Arsimit, e cila më shumë duhet të fokusohet në zgjidhjen e këtij problem, sesa të fillojnë me një nismë të mbrapshtë”, deklaroi Prishtina.
ks