Lajme

Nis sot zbatimi i Amnistisë Penale, ja sa të dënuar do të lënë qelitë, jashtë “faljes” mbeten të dënuarit e SPAK

Nga dita e sotme nis zbatimi i ligjit për amnistinë penale, i miratuar nga Kuvendi më 18 qershor dhe i dekretuar nga presidenti Bajram Begaj më 30 qershor. Nga kjo amnisti pritet të përfitojnë 1 335 persona të dënuar, mes tyre gra dhe të mitur, ndërsa mijëra të tjerë do të përfitojnë faljen e ndjekjes penale për kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët.

Ligji zbatohet për të gjithë personat që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është zbardhur ende. Për shkak të kohës që ka kaluar nga miratimi i ligjit deri në hyrjen në fuqi, numri i përfituesve mund të jetë edhe më i lartë.

Sipas të dhënave paraprake, nga IEVP Kosova në Lushnjë pritet të lirohen rreth 120 të dënuar, 98 nga burgu i Fierit, ndërsa rreth 200 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Në Fushë-Krujë pritet të lirohen 9 persona, rreth 60 nga burgu i Drenovës në Korçë dhe 12 gra nga burgu i Pojskës.

Amnistia përfshin burrat e dënuar me burgim deri në tre vjet dhe gratë e dënuara deri në katër vjet, si edhe ata që u kanë mbetur për të vuajtur këto afate. Përfitues janë gjithashtu burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë të mitur në momentin e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të atyre të dënuar për vepra të rënda.

Jashtë amnistisë mbeten të dënuarit për krime të rënda, si vrasja, trafikimi i qenieve njerëzore dhe të gjitha çështjet që janë në juridiksionin e SPAK dhe GJKKO si edhe personat që i janë shmangur ekzekutimit të vendimeve të drejtësisë.

Të Ngjashme