Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për familjen e zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili ka ndërruar jetë pasi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra pasi u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës.
Haxhiu ka thënë se ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, por edhe për Policinë e Kosovës, e cila humbi një koleg dhe pjesëtar që detyrën e kishte zgjedhur si shërbim ndaj të tjerëve.
“Familja e tij humbi njeriun e dashur, ndërkaq Policia e Kosovës një koleg dhe pjesëtar të saj që detyrën e kishte zgjedhur si shërbim ndaj të tjerëve”, ka shkruar Haxhiu.
Postim i plotë:
Më pikëlloi thellë lajmi për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra pasi u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës.
Sot, familja e tij humbi njeriun e dashur, ndërkaq Policia e Kosovës një koleg dhe pjesëtar të saj që detyrën e kishte zgjedhur si shërbim ndaj të tjerëve.
Vdekja e Altinit është edhe një kujtesë e dhimbshme se në komunikacion një çast pakujdesie mund t’ia marrë jetën dikujt dhe t’ua ndryshojë përgjithmonë jetën shumë të tjerëve. Prandaj, kujdesi në rrugë dhe përgjegjësia ndaj njëri-tjetrit janë para së gjithash përgjegjësi ndaj jetës së njeriut.
Familjes Kryeziu i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Bashkëndiej me kolegët e Altinit në Policinë e Kosovës dhe me të gjithë ata që e njohën, punuan me të dhe sot e kujtojnë me dhimbje.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të
