Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Elvir Azizi dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë mirëpritur sot në QKUK ekipin e mjekëve kardiokirurgë dhe kardiologë të fëmijëve nga Turqia, në kuadër të misionit “Muntada Aid”, thuhet në njoftim.
Ekipi i mjekëve nga Turqia do të realizojë intervenime kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër dhe do bëjë ekzaminime kardiologjike.
“Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, falënderoi organizatën “Muntada Aid” dhe ambasadorin Hargreaves për mbështetjen , duke shtuar se ky mision është një mundësi e mirë që fëmijët e Kosovës të përfitojnë intervenime në zemër, pa pasur nevojë të dalin jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, u shpreh i lumutur që ky mision humanitar po realizohet dhe që po përfitojnë fëmijët e Kosovës.
Në emër të ekipit, foli Dr. Ibrahim Cansaran, i cili poashtu, shprehu kënaqësinë që kanë mundësinë të ndihmojnë fëmijët e Kosovës.
Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë që të përfitojnë eksperiencë edhe stafi vendos i mjekëve dhe infermierëve.
“Në përbërje të ekipi mjekësor ka mjekë kardiologë, kardiokirurgë, anesteziologë, infermierë dhe teknikë të anestezionit. Misioni ka filluar ditën e sotme dhe do të zgjasë 10 ditë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.