Lajme

Një i dënuar transferohet nga Shqipëria, një tjetër ekstradohet nga Gjermania në Kosovë

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar gjatë ditës së sotme dy operacione, një transferim të një personi të dënuar nga Shqipëria dhe një ekstradim nga Gjermania në Kosovë.

Sipas njoftimit të Policisë, nga Shqipëria në Kosovë është transferuar një person i dënuar për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municionit në bashkëpunim”, vepër kjo e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Pas transferimit, i dënuari i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit. Një pjesë të dënimit, ai e kishte vuajtur paraprakisht në Shqipëri.

Ndërkohë, gjatë së njëjtës ditë, autoritetet kanë realizuar edhe ekstradimin nga Gjermania në Kosovë të një shtetasi kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Shtetasi ishte i përfshirë në një rast penal për veprën “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Pas mbërritjes në Kosovë, personi i ekstraduar është dorëzuar te njësitet përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka theksuar se këto operacione janë realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe koordinimit me institucionet relevante të drejtësisë.

Të Ngjashme