Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur të lërë në paraburgim për 30 ditë B. D., i dyshuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi fshatin Demiraj, ku humbën jetën dy pjesëtarë të së njëjtës familje.
Masa e sigurisë është caktuar sot më 2 nëntor, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila po heton rrethanat e ngjarjes së ndodhur një natë më parë.
Sipas dyshimeve të ngritura nga organi i akuzës, B. D. ka vrarë djalin e tij, A. D., pas një konflikti fizik në banesën e familjes, në orët e para të 1 nëntorit.
Ndërkohë, hetimet kanë zbuluar edhe detaje të tjera të rënda. Vajza e mitur, D. D., ishte gjetur e pajetë në shtratin e babait të saj, tashmë të ndjerë A. D., me shenja dhune dhe njolla gjaku. Sipas Prokurorisë, dyshohet se edhe vdekja e saj është shkaktuar nga babai i saj.
Ad
Në njoftimin e gjykatës thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se plotësohen kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Sipas vlerësimit, ekziston rreziku që i dyshuari, nëse do të lihej i lirë, të ndikonte te dëshmitarët përmes koordinimit të deklarimeve dhe minimizimit të pasojave të veprimeve të tij.
Vendimi për caktimin e një muaji paraburgim mund të kundërshtohet nga palët përmes ankimit në Gjykatën e Apelit të Kosovë.
