Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka grumbulluar një sasi të madhe provash dhe me qindra komunikime telefonike për të vërtetuar pronësinë faktike të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku mbi një vilë luksoze dykatëshe në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi.
Sipas dokumenteve hetimore të SPAK-ut, vila me sipërfaqe 103 m² dhe me një parcelë toke prej rreth 300 m², e cila sot vlerësohet rreth 720 mijë euro, është përdorur nga Balluku nga qershori i vitit 2019 deri në fillim të vitit 2026, përpara se të sekuestrohej me vendim gjykate. De jure, pasuria rezulton e regjistruar në emër të ish-futbollistit të njohur Igli Tare, por provat tregojnë se ajo i përket ish-zyrtares së lartë.
Përgjimet, qelizat telefonike dhe “Vila e Shefes” Dosja hetimore zbulon se shoferi personal i Ballukut, punonjësit e pastrimit, si dhe administratorët e kompleksit i referoheshin godinës ‘F6’ si “vila e shefes”. Përveç qelizave telefonike që konfirmojnë praninë e vazhdueshme të Ballukut në këtë objekt ndër vite, në brendësi të godinës janë gjetur edhe prova materiale e foto që vërtetojnë se arredimi dhe investimet janë kryer sipas preferencave të saj personale.
Mesazhi komprometues: Kutia e kuqe me tufa eurosh Mes provave më kryesore të Prokurorisë së Posaçme është një fotografi e gjetur në telefonin e Lavdrim Smones, bashkëshortit të sanitares që kujdesej për banesën e Ballukut në Tiranë.
Në një mesazh të datës 17 korrik 2021, shfaqet një kuti e kuqe e mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe të lidhura me llastik. SPAK sqaron në dokument se kjo foto është realizuar në ambientet e brendshme të vilës ‘F6’ në Dhërmi, ku familjarët e sanitares shkonin periodikisht për të kryer pastrimet me udhëzim dhe me mjetet e siguruara nga shoferi personal i ish-zëvendëskryeministres.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
