Një raketë e SpaceX, e cila kishte nisur dy module private për ulje në Hënë, u përplas me sipërfaqen hënore të mërkurën, ashtu siç ishte parashikuar, pasi kishte qëndruar jashtë kontrollit për më shumë se një vit, njoftuan shkencëtarët.
Megjithëse askush nuk e pa drejtpërdrejt përplasjen me shpejtësi rreth 8.700 km/orë, një teleskop në Kili zbuloi atë që astronomët e identifikuan si renë e mbetjeve të krijuar nga goditja. Ekspertët e gjurmimit të objekteve hapësinore thanë se ishte e pashmangshme që segmenti i mbetur i raketës të përplasej me Hënën.
Ndërsa konfirmimi vizual do të duhet të presë derisa Lunar Reconnaissance Orbiter i NASA-s të fluturojë mbi zonën e përplasjes dhe të dërgojë fotografi të kraterit të ri. NASA nuk pret që kjo të ndodhë para javës së ardhshme sipas Associated Press, përcjell KosovaPress.
Teleskopi Very Large Telescope i Observatorit Evropian Jugor identifikoi një rrjedhë natriumi dhe litiumi që u shtri për dhjetëra kilometra në hapësirë për të paktën pesë deri në dhjetë minuta pas goditjes.
Ky është rasti më i fundit i ndotjes së Hënës me mbetje hapësinore, një problem për të cilin shumë shkencëtarë druhen se do të përkeqësohet ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina garojnë për të dërguar astronautë në Hënë.
Julianna Scheiman nga SpaceX tha këtë javë se kompania po bashkëpunon me NASA-n për të shmangur incidente të ngjashme në të ardhmen, duke theksuar se kjo përplasje nuk ishte e qëllimshme. Sipas saj, një kombinim i aktivitetit diellor dhe forcës së gravitetit e devijoi raketën drejt Hënës.
Hëna po bëhet destinacioni kryesor i eksplorimit hapësinor. NASA planifikon të dërgojë një numër të madh mjetesh robotike gjatë viteve të ardhshme për të hedhur bazat e një pranie të qëndrueshme njerëzore në Hënë.
SpaceX e Elon Musk dhe Blue Origin e Jeff Bezos do të ndërtojnë modulet hënore që do të përdoren nga astronautët e programit Artemis. Raketa Starship e SpaceX po përparon vazhdimisht në fluturimet testuese nga Teksasi, ndërsa moduli Blue Moon i Blue Origin ende nuk është lëshuar.
Njëri ose të dy modulet pritet të marrin pjesë në misionin Artemis III vitin e ardhshëm, gjatë një prove të ankorimit në orbitën e Tokës. Ulja e astronautëve në Hënë — e para që nga misioni Apollo — mund të ndodhë në vitin 2028.
