Përmes një postimi tejet të sinqertë në rrjetet sociale, Kevini ka ndarë me ndjekësit një bilanc mjaft personal të vitit që lamë pas.
Ai ka festuar një përvjetor të rëndësishëm: një vit plotësisht i distancuar nga zakonet e vjetra, përfshirë alkoolin dhe duhanin, duke shënuar kështu një kapitull të ri e të pastër në jetën e tij. Kevini pranoi se ky ishte një hap që dëshironte ta bënte prej vitesh, por stili i jetesës i lidhur me jetën e natës, muzika dhe festat e bënin këtë tranzicion të vështirë.
Sipas tij, vendimi erdhi në momentin kur kuptoi se dëshironte të bëhej versioni më i mirë i vetes. Ai sqaroi se pengesa kryesore drejt qëllimeve të tij ishte pikërisht alkooli jo për shkak të problemeve direkte që i krijonte, por për shkak të energjisë që i merrte dhe pengesës që ndiente në arritjen e ëndrrave të tij. Kevini u shpreh se festat e vazhdueshme pa një arsye të vërtetë kishin filluar të ktheheshin në diçka shkatërruese për të.
Ky vit ndryshimi ka përkuar gjithashtu me një tjetër vendim madhor: shpërnguljen e tij në Kosovë. Kevini përshkroi sfidat e përshtatjes me një vend të ri, një gjuhë të re dhe lënien pas të gjithçkaje që kishte ndërtuar deri atëherë, përfshirë apartamentin dhe rrethin e tij shoqëror. Megjithatë, ai u shpreh jashtëzakonisht mirënjohës për guximin që pati për të ndërmarrë këtë hap të madh, duke falënderuar publikun dhe njerëzit në Kosovë për mikpritjen e ngrohtë.
Pjesë e këtij suksesi dhe stabiliteti ka qenë edhe mbështetja e njerëzve të tij më të afërt. Në mesazhin e tij, ai rezervoi një falënderim të veçantë për partneren e tij, Ana, e cila ka qenë pranë tij në çdo hap, si dhe për familjen e saj dhe nënën e tij, të cilat e shtynë drejt këtyre vendimeve që dikur nuk guxonte t’i bënte vetë.
Në mbyllje të reflektimit të tij, Kevini theksoi se megjithëse ndihet krenar për arritjet e këtij viti të parë, ai është ende larg përmbushjes së të gjitha ëndrrave të tij. Ai la edhe një shënim motivues për të gjithë ata që mund të gjejnë veten në historinë e tij:
“Nëse e ndjen veten në këtë histori dhe po mendon gjithashtu ta marrësh atë hap që mora unë, ta rekomandoj ta bësh. Kjo nuk do të thotë për gjithmonë… por të paktën tani, për aq kohë sa jam duke ndjekur diçka më të madhe, kjo është zgjedhja ime.”
Screenshot
