ShowBizzz

Njëqind mijë euro në muaj dhe vila në Madrid, çfarë parashikon marrëveshja paramartesore e Ronaldos dhe Georginës

Pas martesës së tyre sekrete, vëmendja është zhvendosur te marrëveshja paramartesore që Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez, kanë vendosur për pasurinë dhe të ardhmen e tyre financiare në rast ndarjeje.

Sipas raportimeve të publikuara nga Marca, marrëveshja parashikon një mbështetje financiare të përjetshme për Georginën, në rast se çifti i jep fund martesës.

Të lidhura

None found

Shuma e raportuar është rreth 100 mijë euro në muaj, ose rreth 1.2 milionë euro në vit. Ky detaj, është raportuar edhe më herët nga media që i janë referuar një marrëveshjeje financiare të çiftit.

Por marrëveshja nuk lidhet vetëm me një pagesë mujore. Sipas këtyre raportimeve, në rast ndarjeje, vila familjare e çiftit në kompleksin luksoz La Finca, në Madrid, do t’i mbetej Georginës si pronë e saj.

Marrëveshja është hartuar me synimin për të përcaktuar paraprakisht ndarjen e pasurive dhe detyrimet financiare në rast të një ndarjeje, duke shmangur një përplasje të gjatë ligjore dhe duke mbrojtur edhe interesat e fëmijëve.

Detajet e saj janë rikthyer në vëmendje vetëm pak ditë pasi Ronaldo dhe Georgina zyrtarizuan martesën e tyre. Çifti u martua më 11 gusht në një ceremoni private në rezidencën e Ronaldos në Cascais, pranë Lisbonës, në prani të katër dëshmitarëve dhe fëmijëve të tyre.

Një ditë para martesës, më 10 gusht, ata formalizuan edhe marrëveshjen paramartesore, duke përcaktuar regjimin e tyre pasuror.

Ronaldo, pasuria e të cilit vjen nga kontratat në futboll, bizneset dhe marrëveshjet komerciale, ka ndërtuar gjatë viteve një perandori financiare prej qindra milionë eurosh. Për këtë arsye, marrëveshja paramartesore shihet si një mënyrë për të mbrojtur pasurinë e tij, ndërsa njëkohësisht garanton sigurinë financiare të Georginës dhe fëmijëve në rast të një ndarjeje.

Të Ngjashme