LifeStyle

Njerëzit kujdesen më shumë për qentë e tyre sesa për macet

Me rrezikun e mërzitjes së adhuruesve të maceve, ekspertët kanë zbuluar se pronarët e qenve janë më të lidhur me kafshët e tyre shtëpiake dhe janë të gatshëm të paguajnë kosto më të larta mjekësore për to. Hulumtimi përfshiu 2,117 njerëz që kanë qen, mace ose të dyja.

Pjesëmarrësve të hulumtimit iu kërkua t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me kujdesin për kafshët shtëpiake dhe lidhjen e tyre me to.

Analiza zbuloi se njerëzit kujdesen më shumë për qentë e tyre sesa për macet në të gjitha vendet dhe sipas të gjitha kritereve.

Pjesëmarrësit e hulumtimit kishin më shumë gjasa të paguanin për sigurimin shëndetësor për qentë e tyre, më shumë gjasa të kërkonin nga një veteriner që të aplikonte të gjitha opsionet e trajtimit kur ishte e nevojshme dhe do të paguanin më shumë për atë trajtim. Megjithatë, kishte edhe dallime të habitshme në qëndrimet midis vendeve. Pjesëmarrësit në studim ishin nga Britania e Madhe, Danimarka dhe Austria.

Edhe pse preferenca për qentë ndaj maceve ishte e vogël në Britaninë e Madhe, në Austri dhe në Danimarkë ishte shumë e theksuar.

Dr.Peter Sandoe, autori i parë i studimit në Universitetin e Kopenhagës, tha: “Ne zbuluam se njerëzit janë të gatshëm të shpenzojnë shumë më pak për macet e tyre sesa për qentë e tyre“.

Por, siç raportohet nga Frontiers in Veterinary Science, autorët e studimit vunë në dukje se mund të ketë ende vende të tjera ku niveli i kujdesit dhe dashurisë për macet është më i lartë.