Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pas disa komenteve dhe fyerjeve të drejtuara ndaj tij në rrjetet sociale dhe portale.
Ai thotë se pas distancimit të tij nga “personi me duar në xhepa”, i cili nuk ia zgjati dorën Kryeministrit Kurti – një gjest që sipas tij ishte i dobët dhe i porositur dhe që u bë edhe lajm – janë aktivizuar disa komentues që e kanë ofenduar dhe sharë.
Sipas Dugollit, kjo vjen si nga mllefi pse ai nuk ndjek të njëjtën linjë me ta, ashtu edhe nga padituria dhe naiviteti, të shoqëruara me gjuhë fyese.
Ai thekson se është drenicas dhe se këtë fakt, sipas tij, askush nuk mund ta zhbëjë.
Postim i plotë:
Pas distancimit tim nga “njeriu me duar në xhepa”, i cili nuk ia zgjati dorën Kryeministrit Kurti (një gjest i dobët dhe i porositur, që u bë edhe lajm ), janë aktivizuar disa “komentues” nëpër portale, duke më fyer e sharë. Një pjesë nga mllefi pse nuk jam si ata, një pjesë nga naiviteti dhe padituria, por me gjuhë fyese e helmuese.
Të gjithëve u them: unë jam drenicas dhe këtë fakt nuk mund ta zhbëni. Sepse jo të gjithë drenicasit ndjekin logjikën e kopesë, duke u rreshtuar pas një partie që pretendon se e ka “privatizuar” patriotizmin dhe Drenicën.
Sa i takon angazhimit dhe kontributit kombëtar, dua t’ua rikujtoj shumicës se, kur e kam nisur rrugëtimin tim atdhetar e politik, nuk ju kisha pranë, së paku jo shumicën prej jush. Madje distancoheshit nga unë dhe familja ime (po flas për vitet ’80). Prandaj, mos më prekni në plagë të vjetra.
Edhe në periudhën para luftës, nuk është se u zgjuat herët. Kur flisja dhe veproja për organizimin e rezistencës dhe luftës së armatosur si mjet çlirimi, shumë prej jush, apo baballarët tuaj, më quanit të çmendur: “e kanë çmendur në burg”, thoshit.
Megjithatë, unë kurrë nuk ju braktisa dhe nuk mbajta mëri, sepse isha i bindur në atë që besoja dhe e dija se herët a vonë do t’ju vinte ndërmend.
Në fund, dua të jem i qartë: unë jam ky që jam. Nuk kam ndryshuar dhe as nuk do të ndryshoj. Nëse nuk ju pëlqen angazhimi im politik në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka nevojë për sharje e fyerje, ballafaqohemi me argumente dhe platforma politike, dhe shohim ku qëndron secili.
