Ushtria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë bashkë në një njësi.
Këtë synim e ka bërë publik kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
E njësia sipas ish-deputetit të Vetëvendosjes, Enver Gugolli, pritet të funksionoj në kuadër të programeve të projekteve të përbashkëta me NATO-n.
“Shkon edhe në kuadrin e projekteve që NATO-ja i zhvillon pra shtetet e NATO-s ‘Smart Defense’ që e bëjnë shtetet e ndryshme që i bashkojnë kapacitetet për qëllime të caktuara pra për misionin ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, thotë Enver Dugolli nga LVV.
Ai gjithashtu thekson se do të vazhdojnë kontaktet me përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri, për jetësimin e kësaj njësie.
“Natyrisht që ka pasë diskutime edhe të mëhershme natyrisht që këto do të finalizohen dhe konkretizohen, normalisht që kërkon pak kohë derisa të finalizohet si koncept, por besoj se do ta kemi shumë shpejt përgjigjen meritore dhe pozitive edhe nga shteti shqiptar gjë për të cilën ne jemi të sigurt sepse bashkëpunimet apo koordinimet nuk kanë munguar edhe në të kaluarën”, shprehet Dugolli.
Por, koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj, nuk e sheh të realizueshëm këtë premtim, derisa edhe i liston arsyet e tij.
“Përveç zingjirit komandues i cili është problematik në funksion duke filluar nga vendimmarrja politike pastaj edhe ushtarake kjo paraqet problem. A do të merr vendim për çështje të caktuara për atë njësi presidenti i Shqipërisë apo i Kosovës, kryeministri i Shqipërisë apo i Kosovës? Komandanti i forcave të Armatosura të Shqipërisë apo i Forcës së Sigurisë së Kosovës?”, vlerëson ai.
Derisa vlerëson se në kohë fushate, të ketë kujdes nga partitë në premtime në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Deklarimet politike për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes kur janë të tepruara dhe përdoren për fushata elektorale dhe për arsye të tjera që nuk i përkasin nivelit shtetëror, gjithmonë janë të dëmshme dhe janë të tepruara. Prandaj, pikërisht për këtë arsye kemi premtime që janë dhënë shumë herë për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë të cilat nuk janë përmbushë asnjëherë”, thotë Gecaj.
Për premtimin e Kurtit, Tëvë1 ka dërguar edhe pyetje në ministrinë e mbrojtjes së Shqipërisë. Megjithatë, nga ministria shqiptare është sygjeruar që të flitet me autoritetet në Kosovë, të cilët nuk janë përgjigjur.
