Shëndetësi

Njollat kafe nuk vijnë vetëm nga dielli, ja gabimet e përditshme që po dëmtojnë lëkurën tuaj pa e kuptuar

Ekspozimi ndaj diellit nuk lidhet vetëm me mungesën e kremit mbrojtës. Faktorë të përditshëm, që shpesh kalojnë pa u vënë re, mund ta bëjnë lëkurën më të ndjeshme dhe më të rrezikuar ndaj dëmtimeve.

Një prej tyre janë produktet që përdoren për kujdesin e lëkurës. Disa kremra kundër plakjes apo trajtime për aknet ndikojnë në shtresën mbrojtëse të lëkurës dhe e bëjnë atë më të ndjeshme ndaj rrezeve UV.

Përbërës si retinoli, vitamina A, acidi glikolik, acidi salicilik apo hidrokinoni mund të rrisin ndjeshmërinë ndaj diellit.

Edhe disa ilaçe mund të kenë të njëjtin efekt. Trajtimet për aknet, por edhe disa antibiotikë, ilaçe kundër depresionit apo anti-inflamatorë mund ta bëjnë lëkurën më të prirur ndaj djegieve nga dielli.

Ndikim ka edhe mënyra e të ushqyerit. Mungesa e vitaminës B3 lidhet me rritjen e ndjeshmërisë ndaj diellit. Nga ana tjetër, disa ushqime si selino, majdanoz apo agrume të caktuara mund të shkaktojnë reagime në lëkurë kur ekspozohen ndaj rrezeve.

Një tjetër gabim i zakonshëm është neglizhimi i mbrojtjes në ditët me re. Edhe kur moti duket i freskët, një pjesë e madhe e rrezeve UV depërton përmes reve dhe mund të dëmtojë lëkurën.

Për këtë arsye, kujdesi ndaj diellit duhet të jetë i përditshëm. Aplikimi i kremit me SPF, shmangia e orëve të pikut dhe vëmendja ndaj produkteve apo ilaçeve që përdoren janë hapa të thjeshtë që ndihmojnë në mbrojtjen e lëkurës.

Të Ngjashme