Reperi i njohur shqiptar, Noizy është arrestuar nga policia në Shqipëri pasi ajo e Kosovës e shpalli në kërkim dhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij.
Artisti akuzohet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” bashkë me DJ Crax dhe Stresin, pas një rrahje që ndodhi në një klub nate në Pejë disa ditë më parë.
Reperi po vazhdon të jetë i ndaluar në Shqipëri deri në ekstradimin e tij në Kosovë, dhe për këtë ka folur miku dhe bashkëpunëtori i tij Varrosi.
Përmes një postimi në Instagram, ai e quajti ndalimin e tij të padrejtë pasi siç thotë ai, artisti është kërcënuar, sulmuar e dhunuar verbalisht bashkë me familjen.
“Ne respektojmë institucionet, respektojmë ligjet, por sa të sigurt duhet të ndihemi ne dhe familjet tona kur shohim se drejtësia vepron me disa standarde? Kur shohim që disa personazhe që përdorin TikTok-un dhe rrjetet sociale për të kërcënuar deri dhe me jetë, më pas i dalin zot dhunës së tyre verbale, e prapëseprapë nuk u hy gjemb në këmbë”, shkroi Varrosi.
Tutje, Varrosi i cili është poashtu reper i njohur, kërkoi nga ndjekësit e tij ta shpërndajnë postin dhe të jenë me #Noizyn, pasi sipas tij ai nuk është fajtor.