Shteti i Kosovës dështoi sërish ta vë para drejtësisë një ndër reperët më problematik të showbizit shqiptar, Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Loja e tij dhe ‘kurthi’ në të cilin dyshohet se ranë organet e rendit, ia mundësoi atij që edhe të shtunën të mbante koncertin në diskotekën ‘Venom’ edhe pse është lëshuar urdhërarrest ndaj tij.
Raportimi aktivizoi organet e rendit të dielën mbrëma, pasi u shpërfaq mashtrimi i reperit, të cilit padyshim se i ndihmoi edhe diskoteka.
Siç duket, një tjetër diskotekë e pret sonte Noizyn për një tjetër ndejë, ndonëse Policia e Prokuroria janë vënë në ndjekje të tij.
Disoteka ‘Stop’ në Gjilan njoftoi mbrëmë se Noizy të hënën do të mbajë një koncert aty.
“A e keni prit edhe ju ni suuper artist e me dhez Stopin. 5 Gusht – @noizy. Rezervoni TANI!” – thuhet në postimin e lëshuar pak pas orës 22:00.
Në këtë postim, diskoteka është vërshuar nga komentet e shumta, kryesisht negative, që lidhen me rrahjen brutale në të cilën dyshohet se ka gisht reperi.
Por a do të ketë guxim Noizy edhe sonte ta sfidojë shtetin apo do të bie në prangat e Policisë së Kosovës, kjo pritet të shihet.