Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka në një deklaratë për media është shprehur se protesta e 20 shkurtit tregoi se vendi ka hyrë në një etapë të re zhvillimesh politike.
Ai është shprehur ndër të tjera se Partia Demokratike po punon çdo ditë që Shqipëria të shkojë në zgjedhje dhe të ketë një qeveri teknike, dhe jo siç e quan ai “qeveri të patronazhistëve”.
“Në Shqipëri hapi i parë që duhet të ndodhë, është që McGonigali shqiptar të largohet nga karrigia e pushtetit dhe ti hapë rrugë qeverisë teknike, që Shqipëria të ketë përfundimisht një qeveri përfaqësuese të shqiptarëve e jo të patronazhistëve dhe të krimit”, tha Noka ndër të tjera.
Reagimi i plotë:
Bashkimi i PD-së, krijimi i opozitës së bashkuar dhe protesta e datës 20 shkurt si kulmimi i zhvillimeve brenda opozitës, ishin kryefjala dhe treguan që PD-ja, opozita, por edhe vendi ka hyrë në një etapë të re zhvillimesh politike.
Protesta e qytetarëve, ai lum njerëzish që vërshoi në Tiranë, ajo energji njerëzore që u derdh në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, tregoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh.
Ai lum njerëzish, ai uragan popullor i dha një mesazh edhe PD-së, dhe kryesia jonë sot vendosi që ta lexojë dhe deshifrojë mirë dhe qartë, atë mesazh të njerëzve të lirë, demokratëve, opozitarëve që morën pjesë, edhe të paangazhuarve që morën pjesë, edhe të socialistëve të zhgënjyer dhe të shkelur me këmbë nga sekti i rilindjes, që morën pjesë.
Përkthimi i atij mesazhi është që ne do të zbresim në bazë, të gjithë do të zbresim të takojmë të gjithë qytetarët, pensionistët, fermerët, arsimtarët, mjekët, nënpunësit, të papunët, rininë.
Do të jemi çdo ditë në kontakt me ta, për të drejtuar gjithë këtë energji njerëzore dhe për ti dhënë një mundësi çlirimi gjithë kësaj energjie, që Shqipëria më në fund të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike, me një qeveri teknike dhe jo më, me një qeveri që është armike e votës së lirë.
U analizua edhe një pikë tjetër.
Pas datës 16 shkurt dhe sidomos pas datës 20 shkurt, shqiptarët nuk mund të pranojnë më kryeministër McGonigalin.
McGonigali në SHBA u dënua për çështjen shqiptare.
Në Shqipëri hapi i parë që duhet të ndodhë, është që McGonigali shqiptar të largohet nga karrigia e pushtetit dhe ti hapë rrugë qeverisë teknike, që Shqipëria të ketë përfundimisht një qeveri përfaqësuese të shqiptarëve e jo të patronazhistëve dhe të krimit.
Një qeveri e cila të ketë vetëm një synim, të ju mundësojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje të cilat i kanë munguar prej më se 10 vitesh këtij vendi, dhe pastaj për ti hapur rrugë edhe Shqipërisë të ecë drejt integrimit Europian, i penguar dhe i bllokuar nga krimi dhe korrupsioni i rilindjes.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo