Deputetët e Rithemelimit kanë bllokuar edhe sot zhvillimin e mbledhjes se Komisionit për Reformën Zgjedhore.
Fillimisht deputetët mbështetës të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës u penguan nga gardistët duke mos u lejuar që të futen në sallën ku dhe do të zhvillohej mbledhja. Por, më pas ata kanë arritur të çajnë kordonin e gardistëve, dhe janë futur në sallë ku kanë zënë ulëset e anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Deputetët demokratë me në krye kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin dhe deputetin demokrat Flamur Noka, janë futur me dhunë në sallën ku pritej të zhvillohej mbledhja.
Dy bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Alibeaj kanë munguar në mbledhjen ku u futën, por pas disa minuatash në hyrje të sallës ka mbërritur Damian Gjiknuri.
Por Gjiknuri nuk u lejua nga deputeti Flamur Noka të futet në sallë, duke deklaruar se nuk do të lejojnë një Reformë Zgjedhore me opozitë të emëruar.
Pjesë nga përplasja:
Gjiknuri: O mulo, vë bast me ato…
Noka: Nuk e zhbëni dot opozitën, opozitë me mua ti nuk e bën dot
Noka: A ke qenë në opozitë ti, a ke pasur bashkëkryetar? Pse nuk na lë edhe neve ta kemi
Gjiknuri: Po, e keni bashkëkryetarin tuaj vetë e keni zgjedhur
Noka: Jo, atë e ka zgjedhur Edi Rama
Pasi nuk u lejua të futet në sallë, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka folur për gazetarët ku tha se do e zhvendosin mbledhjen online.
Gjiknuri thotë se është absurditet se përse dy grupet e opozitës nuk duan ta çojnë para këtë Reformë, pasi grupi i Bashës nuk ishte i pranishëm në sallë.
“Siç jeni në dijeni kishim seancë dëgjimore me organizatat joqeveritare kanë dhënë rekomandimet e tyre për përmirësimin e kodit zgjedhor. Skenat i patë, përsëri e bënë të pamundur, mundësinë për tu shprehur organizatat. Përsëri një pjesë e opozitës bllokoi hyrjen, e bëri të pamundur zhvillimin e zgjedhjes. Pamundësia fizike na bën që të njoftojmë një mbledhje tjetër, zgjidhja që bëmë herën e kaluar për ta kaluar online do jetë e duhur. Habitem për një gjë, dy opozitat që duhet të jenë të interesuara nuk po bëjnë asgjë për ta çuar para këtë proces. Absurditet, mazhoranca është komode edhe me këtë kod zgjedhor”, – tha Gjiknuri.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo