Fero ka rrëfyer detaje të pathëna më parë për marrëdhënien me ish-bashkëshorten, Arbenita Ismajli, dhe periudhën e vështirë kur për dy vite nuk pati asnjë kontakt me vajzën e tij.
I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Live me Luizin”, këngëtari foli për atësinë, divorcin dhe raportin që ka arritur të ndërtojë sërish me Arbenitën, për hir të vajzës së tyre.
Gjatë bisedës, Fero theksoi se sot mes tij dhe ish-bashkëshortes ekziston një komunikim i mirë dhe se të dy përpiqen ta ruajnë këtë marrëdhënie për të mirën e vajzës.
“Nuk më pëlqen të flas për njerëz që nuk janë prezentë, por unë e kuptoj ku do të dalësh ti, Luiz. Unë me nënën e vajzës sime gëzojmë një raport shumë të mirë. Duam që ta ruajmë këtë raport për hir të vajzës, e cila është duke u rritur”, tha ai.
Këngëtari u ndal edhe te momenti kur u bë baba për herë të parë, duke e cilësuar takimin me të bijën si një nga përjetimet më të veçanta të jetës së tij.
“Ndjesia më e veçantë, që nuk ka fjalë për ta përshkruar, është kur e kam parë vajzën dhe e kam marrë në dorën time. Është një ndjenjë që nuk përshkruhet. Vajza më ka mësuar se unë çdoherë duhet të bëj përpjekje për të ndryshuar veten për të mirën time dhe të jem një shembull më i mirë për të”, u shpreh Fero.
Por momenti më emocional i rrëfimit ishte periudha dyvjeçare gjatë së cilës ai nuk kishte mundësi ta takonte apo të komunikonte me vajzën e tij. Këngëtari tregoi se kjo kishte qenë një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, duke shtuar se kishte kërkuar ndihmë edhe përmes gjykatës dhe rrjeteve sociale.
“Për dy vite nuk e kam takuar dhe as nuk kam folur në telefon. Ka qenë periudha më e vështirë për mua, sepse ka qenë aq e vështirë si periudhë, saqë sa herë e kam marrë afër zemrës mungesën e vajzës dhe mos-takimin me të, për të mos folur për mungesën e komunikimit dhe mosdijeninë për jetën e vajzës.
Gjatë atyre kohërave, unë kam dalë dhe kam kërkuar ndihmë nëpërmjet gjykatës dhe rrjeteve sociale. Njeriu, kur është i lënduar emocionalisht, mund të gabojë më së shumti, dhe kam gabuar. Kam kërkuar të drejtën time dhe kam përjetuar shumë vështirësi. Njëkohësisht, më ka rënë që njerëzit të fshihen për mua. Kam pasur dhimbje që nuk kam mundur ta takoj vajzën.
