Lajme

Nuk janë as Saranda dhe as Ksamili, ky është vendi më i vizituar nga turistët në Shqipëri

Sipas një sondazhi të realizuar nga Data Centrum, i bërë publik në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Tirana rezulton të jetë destinacioni më i vizituar nga turistët e huaj në Shqipëri, duke lënë pas edhe zona të njohura turistike si Saranda dhe Ksamili.

Sipas përfaqësuesve të Data Centrum, kategorizimi është bërë bazuar në përgjigjet e hapura të turistëve, të cilët kanë deklaruar vetë vendet që kanë vizituar. Për këtë arsye, disa destinacione janë grupuar sipas kategorive turistike.

Ekspertët sqaruan se përqindja e lartë e Tiranës lidhet edhe me faktin se shumë turistë e përfshijnë kryeqytetin në itinerarin e tyre, edhe për qëndrime të shkurtra, përpara se të vijojnë udhëtimin drejt zonave të tjera turistike.

Sipas rezultateve, 71% e turistëve kanë vizituar Tiranën, duke e renditur kryeqytetin në vendin e parë.

Në vendin e dytë renditen Saranda dhe Ksamili, së bashku me plazhet e jugut, të përmendura nga 43% e të anketuarve. Ndërkohë, zona e Rivierës shqiptare, përfshirë destinacione si Dhërmiu, Himara, Borshi dhe Qeparoi, është vizituar nga 37% e turistëve.

Destinacionet e mbrojtura nga UNESCO, si Gjirokastra, Berati dhe Butrinti, janë vizituar nga 32% e turistëve, ndërsa Durrësi, Golemi dhe Ishmi nga 30%.

Më pas renditen:

Shkodra me 18%;

fshatrat turistike me 13%;

Kruja me 8%;

liqenet dhe lumenjtë, ku përfshihet edhe Pogradeci, me 6%;

Tepelena, Përmeti dhe Këlcyra me 5%;

plazhet e veriut me 5%;

Korça dhe zona e Linës në Pogradec me 4%;

Elbasani, Gramshi dhe Librazhdi me 2%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se një pjesë e madhe e turistëve të huaj nuk qëndrojnë vetëm në një destinacion, por zhvillojnë ture të kombinuara, duke vizituar disa zona gjatë të njëjtit udhëtim në Shqipëri.

Të Ngjashme