Lajme

“O Zot kish me ardh një plumb me më rrokë”- 27 vjet që nga vrasja e Besmira Hajdarit

Për t’i pritur njerëzit, u rreshtuan sërish.

Në këtë formë, familja Hajdari, të enjten doli tek shkolla “Rilindja” në fshatin Dritan.

Në oborrin e saj, qëndron pllaka përkujtimore me ish-nxënësit dhe punëtoret, që ranë në luftën e fundit.

E në mesin e tyre, shihet edhe fotografia e Besmira Hajdarit.

10-vjeçarja me 11 qershor të vitit 1999, u godit nga një plumb, teksa me familjen po strehoheshin në malet përreth.

Se si ndodhi e gjithë ngjarja e rëndë, për Tëvë1 e ka rrëfyer babai i Besmirës, Enveri, i cili atë ditë ishte frontet e luftës.

“Kur është bërë marrëveshja ne i kemi pasur në vijë ajrorë serbët, edhe ata kanë gjuajtur sa kanë mundur kanë derdh breshër mbi atë pjesë dhe një prej atyre plumbave ka depërtuar e ka kap çikën në gjoks edhe është vra. Kemi pas edhe doktor, teknik dhe mjekë, gruaja dhe prindërit kanë qenë zgjuar. Kemi tentuar me ia dhënë ndihmën e parë por nuk kemi mundur sepse dha jetë për këtë vend”, tregon ai.

Hajdari thotë se marrëdhënia e tij me vajzën ishte e veçantë.

“Me Besën kemi pasur raportet të veçanta po e them tash ndoshta Zoti e ka bërë më të veçantë. Sot i kam librat e saj që i ruaj, i kam rrobat e saj kur e ka kap plumbi, i ruaj për vete që t’i kem si dëshmi. Tash mundet me marr me mend që ëndrra e saj u ndal në gjysmë, atë qëllim që së pari e kanë pas lirinë. Po çka du me cekë është se edhe në atë kohë fëmija e bënin atë lojën edhe si nxënës edhe të shkollës, dikush mësues e dikush nxënës”, thotë ai.

Enver Hajdari, e zbuloi edhe një bisedë të Besmirës më nënën, para se të vritej.

“Kemi biseduar në rastet kur kemi pas mundësi. Por në një formë ka qenë e përgatitur bile me një rast i thotë nënës së vet “ O Zot kish me ardh një plumb me më rrokë” ndoshta fati e ka dasht”, shprehet Hajdari.

E gjithçka që e kishte Besmira, tani thotë se e trashëgoi, mbesa më të njëjtin emër.

“Origjinal është sot kjo Besa sikur Besa që më ka vdekë, ndoshta edhe emri po i përngjan edhe identiteti, shkrimit, leximit por edhe emrit të saj. Më ka plotësuar Besën, sepse e kam Besën e vogël mbesën që e dua shumë”, shprehet ai.

Krenare që e mban emrin e hallës, thotë se është Besmira e vogël.

“Ndjehem shumë krenare që e kam emrin e hallës time, e cila është një martire e luftës që ka dhënë jetën për lirin të cilën ne e gëzojmë sot”, shprehet ajo.

E vargje për Besmira Hajdarin, në përvjetorin e 27-të të vrasjes, kishte motra e saj.

Ndryshe, pjesa e malit ku është vrarë Besmira Hajdari, sot njihet me emrin “Lugu i Besës” .

Të Ngjashme