Lajme

OBSH humb kontaktet me spitalin Al-Shifa në Gaza

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus ka bërë me dije se kanë humbur kontaktet me sptalin Al-Shifa në Rripin e Gazës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale këtë të dielë, Adhanom Ghebreyesus thotë se nga informacionet e fundit që kanë patur spitali ishte i rrethuar nga tanke.

Duke shprehur shqetësimin për sigurinë e mjekëve dhe infermierëve si dhe të pacientëve, kreu i OBSH ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

 “OBSH ka humbur kontaktin me pikat e saj qendrore në Spitalin Al-Shifa në Gaza, mes raporteve të tmerrshme se spitali po përballet me sulme të përsëritura. Ka raportime se disa nga ata që ikën nga spitali janë qëlluar, plagosur ose vrarë. Raportet e fundit thonë se spitali ishte i rrethuar nga tanke”, tha Tedros në X.

Forcat izraelite bombarduan sërish Spitalin Al-Shifa në Gaza të shtunën, duke synuar këtë herë Njësinë e Kujdesit Intensiv (ICU). Nga sulmet mbetën të plagosur disa anëtarë të stafit në detyrë dhe disa foshnja u vendosën në rrezik vdekjeje për shkak të mungesës së oksigjenit pas një ndërprerjeje të energjisë.

Ministri palestinez i Shëndetësisë Mai al-Kaila kishte thënë se 39 foshnja në kujdesin intensiv në spitalin Al-Shifa janë në “gjendje rreziku për jetën për shkak të mungesës së oksigjenit”.