Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të premten se për herë të parë ka dhënë miratimin paraprak për një trajtim kundër malaries për të porsalindurit dhe foshnjat.
Artemether-lumefantrine është formula e parë kundër malaries e krijuar posaçërisht për pacientët më të vegjël që preken nga kjo sëmundje e transmetuar nga mushkonjat.
“Ky miratim tregon se ilaçi përmbush standardet ndërkombëtare për cilësinë, sigurinë dhe efektivitetin,” tha OBSH në një deklaratë.
Deri tani, foshnjat trajtoheshin me ilaçe të destinuara për fëmijë më të mëdhenj, gjë që rriste rrezikun për gabime në dozë, efekte anësore dhe toksicitet.
“Për shekuj, malaria u ka marrë fëmijët prindërve dhe u ka marrë shëndetin, pasurinë dhe shpresën komuniteteve,” tha drejtori i OBSH-së, TedrosAdhanomGhebreyesus.
“Por sot, situata po ndryshon. Vaksinat e reja, testet diagnostikuese, rrjetat kundër mushkonjave të gjeneratës së re dhe ilaçet efektive, përfshirë ato të përshtatura për më të vegjlit, po ndihmojnë në përmbysjen e situatës.
“Zhdukja e malaries gjatë jetës sonë nuk është më një ëndërr, është një mundësi reale, por vetëm me angazhim të vazhdueshëm politik dhe financiar. Tani mundemi. Tani duhet ta bëjmë.”
Në vitin 2024, u regjistruan rreth 282 milionë raste me malarie dhe 610 mijë vdekje në 80 vende, sipas OBSH-së.
Afrika përbën 95 për qind të rasteve dhe vdekjeve, ndërsa fëmijët nën pesë vjeç përbëjnë tre të katërtat e viktimave.
Agjencia e OKB-së për shëndetin thotë se përparimi kundër malaries po pengohet nga rezistenca ndaj ilaçeve dhe insekticideve, problemet në diagnostikim dhe ulja e ndjeshme e ndihmës së huaj.
OBSH-ja tha se ky miratim do të mundësojë furnizimin e sektorit publik dhe do të ndihmojë në mbylljen e një boshllëku të gjatë në trajtim për rreth 30 milionë foshnja që lindin çdo vit në zonat e Afrikës ku malaria është e përhapur.
Në nivel global, rreth 70 për qind e vendeve nuk kanë sisteme rregullatore të mjaftueshme për të kontrolluar ilaçet, vaksinat, testet dhe pajisjet mjekësore.
Programi i para-miratimit i OBSH-së siguron që produktet kryesore shëndetësore për përdorim ndërkombëtar të përmbushin standardet globale për cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin. /NDTV – Syri.net
