
Për vdekjen e Alex Navalny reagoi dhe zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i cili tha se ishte i tronditur nga vdekja e disidentit rus.
Antonio Guterres bëri thirrje për një hetim të plotë, të besueshëm dhe transparent për rrethanat që çuan në vdekjen e tij.
Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, foli më herët për sfida ekzistenciale dhe rrezikun bërthamor, duke theksuar se bota është më e fragmentuar sot sesa gjatë Luftës së Ftohtë.
“Shumë vende e injorojnë Kartën e Kombeve të Bashkuara,” – tha shefi i OKB-së nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, duke iu referuar veçanërisht rastit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës si një shkelje e qartë e saj.
Duke iu referuar Lindjes së Mesme, shefi i OKB-së tha se nuk ka asnjë justifikim për aktet e tmerrshme të dhunës të Hamasit në Izrael që prej 7 tetor 2023.
Alexei Navalny, njëri prej kritikëve më të mëdhenj e të paepur ndaj Kremlinit dhe politikave të qeverisë aktuale ruse, ndërroi jetë në burg ku po vuante dënimin me 19 vite burgim dhe dënime të tjera të cilat mbivendosnin njëri-tjetrin.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të internetit, Shërbimi Federal i Qarkut Autonom të Yamalo-Nenets tha se zoti Navalny u ndje keq gjatë shëtitjes që kishte bërë gjatë ajrosjes në burg, dhe pasi ishte kthyer në qeli kishte humbur jetën.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo