Një pajisje e re për matjen e nivelit të oksigjenit në gjak mund të zgjidhë një problem të njohur të oksimetrave tradicionalë: pasaktësinë e matjeve te personat me ngjyrë më të errët të lëkurës.
Oksimetrat e pulsit përdoren prej dekadash në spitale dhe klinika për të matur shpejt nivelin e oksigjenit në gjak. Ata funksionojnë duke dërguar dritë të kuqe dhe infra të kuqe përmes ose mbi lëkurë, por pigmentimi i lëkurës, qarkullimi i gjakut dhe mosha mund të ndikojnë në saktësinë e rezultateve.
Ky problem mori vëmendje të madhe gjatë pandemisë së COVID-19. Një studim i publikuar në vitin 2020 në New England Journal of Medicine zbuloi se deri në 17% e pacientëve me ngjyrë kishin nivele të rrezikshme të ulëta të oksigjenit në gjak, megjithëse oksimetri tregonte vlera normale. Rreziku i këtij gabimi ishte më shumë se trefish krahasuar me pacientët e bardhë.
Për të kapërcyer këtë kufizim, studiuesit e udhëhequr nga Valencia Koomson, profesore e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike, zhvilluan pajisjen Chroma Sense.
Ndryshe nga oksimetrat tradicionalë që vendosen në gisht, Chroma Sense vendoset në kyçin e dorës dhe mat dritën e reflektuar nga lëkura. Pajisja fillimisht analizon mënyrën se si lëkura reflekton dritën dhe më pas rregullon automatikisht intensitetin e saj dhe algoritmet e matjes, duke e përshtatur procesin për secilin përdorues.
Në testet e para me 50 persona me ngjyra të ndryshme lëkure, pajisja arriti një saktësi brenda 1,4%, duke përmbushur standardet e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Në një studim tjetër, të zhvilluar në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, pajisja u testua te vullnetarë me nivele oksigjeni të ulura përkohësisht, duke përfshirë pjesëmarrës me origjinë afrikane, aziatike, hispanike, evropiane dhe të përzier. Chroma Sense ruajti një saktësi prej 2,87%, pa shfaqur dallime në rezultate sipas ngjyrës së lëkurës.
Teknologjia bazohet në fotopletizmografi (PPG), e cila analizon ndryshimet në reflektimin e dritës që shkaktohen nga rrjedhja e gjakut me çdo rrahje zemre. Përveç nivelit të oksigjenit, ajo mund të masë edhe ritmin e zemrës dhe frymëmarrjen.
Ekipi po punon gjithashtu për të shtuar matjen e tensionit të gjakut pa manshetë. Duke përdorur modele të inteligjencës artificiale dhe të dhëna nga mbi 2.300 pacientë, studiuesit arritën një saktësi deri në 90% në vlerësimin e presionit sistolik dhe diastolik.
Sipas Koomson, modelet e inteligjencës artificiale duhet të trajnohen me të dhëna që përfaqësojnë njerëz të moshave, gjinive dhe ngjyrave të ndryshme të lëkurës. Përndryshe, edhe një sistem që duket shumë i saktë mund të japë rezultate të pasakta për grupe të caktuara pacientësh. /Medical xpress – Syri.net
