OpenAI po lanson një version të ChatGPT të krijuar posaçërisht për adoleshentët, brezi i parë që po rritet me inteligjencën artificiale, të cilët tashmë po e përdorin për detyrat e shkollës, pyetje rreth jetës së përditshme dhe madje edhe për shoqëri.
Kompania me bazë në San Francisko thotë se ChatGPT për Adoleshentët, i cili lansohet të martën, është përshtatur për fëmijët e moshës 13 deri në 17 vjeç dhe përfshin masa më të forta mbrojtëse, duke kufizuar përmbajtje që lidhet me vetëvrasjen, vetëlëndimin dhe bisedat romantike apo seksuale.
Ai ofron gjithashtu mbështetje për detyrat dhe studimin, të krijuar për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë, në vend që thjesht t’u japë përgjigjet apo t’u shkruajë esetë e shkollës raporton AP.
Ideja, sipas kompanisë, është t’i udhëzojë adoleshentët drejt një përdorimi të shëndetshëm të inteligjencës artificiale në një mjedis të përshtatshëm për moshën e tyre.
“Duam t’i trajtojmë adoleshentët si adoleshentë, që do të thotë se duhet të sigurohemi që po komunikojmë me ta në përputhje me fazën e duhur të zhvillimit të tyre, pa i trajtuar as si fëmijë dhe as në mënyrë përçmuese, por gjithashtu duke u siguruar që të mos ekspozohen ndaj materialeve ndaj të cilave nuk duhet të ekspozohen”, tha Ann O’Leary, zëvendës presidentja e politikave globale në OpenAI.
OpenAI nuk verifikon moshën e përdoruesve, por tashmë përdor sisteme për vlerësimin e moshës për të parashikuar nëse dikush është nën 18 vjeç, bazuar në faktorë si lloji i pyetjeve që bën.
Nëse dikush identifikohet ose deklaron se është i mitur, ai vendoset automatikisht në versionin e chatbot-it për adoleshentët.
