Lajme

Operacionet policore dhe krimi i organizuar/ Eksperti Softa paralajmëron: Grupi kriminal i Shkodrës ka lidhje me..

Krimi po kthehet në shqetësim për shoqërinë shqiptare me të gjitha ngjyrat apo llojet e tij.

Situata e sigurisë në Shkodër dhe krimi makabër në Durrës, ku shoku vrau shokun dhe i shkoi në varrim, ishin edhe tematika e diskutimit dhe analizës sot në një emision televiziv.

Të ftuar ishin eksperti i sigurisë, Fatjon Softa dhe psikologia Marsela Lekli. Të dy e cilësuan gjendjen e kriminalitetit si alarmante dhe në rritje, pavarësisht reagimeve të policisë në zbardhjen e tyre apo goditjen e grupeve.

Shkodra u cilësua nga eksperti Softa edhe si ‘kryeqendra e krimit” në Shqipëri edhe për shkak të pozicionit dhe pas saj Elbasani. Ndërhyrja e sotme e SPAK dhe Policisë, edhe pse e vonuar, ishte e duhura dhe e mirëpritura.

Për Softën problem janë bashkëpunimet e këtyre grupeve kriminale dhe mbrojtja që kanë, deri nw politikw dhe Polici kurse për Leklin operacione të tilla i japin qetësi qytetarëve për sigurinë.

Por çfarë do të thotë futja e policisë në Dobrac dhe kontrollet te Bajrët?

“Është një veprim ndoshta procedurial për shkak të vrasjes me 4 viktima në Dobraç, ose edhe mungesa e kompetencës nga Shkodra dhe marrjes nga SPAK, procedurë e verifikimit të personave që mendohet se janë përfshirë në ngjarje, ose të dhëna e dyshime të tjera që mund të jenë lidhur me këta persona, si rasti i tre vëllezërve. Ose dhe rasti i mjeteve të blinduara. Si ka mundësi që kanë hyrë këto mjete të blinduara dhe nuk janë evidentuar. Këto mjete janë marrë për shkak të lëvizjeve, aktiviteteve, hasmërive, konflikteve mes grupeve. Por kjo tregon dobësinë e policisë kufitare dhe shërbimeve të tjera për t’i dalluar dhe kontrolluar. Kjo tregon se të gjitha këto grupe kanë dhe mbajnë armë dhe si ka mundësi nuk janë kontrolluar banesat më parë”, u shpreh Softa.

Më tej ai theksoi se ka arsye pse organizatat kriminale mbajnë armë dhe lëvizin me mjete të blinduara, pasi nuk janë vetëm konfliktet, por edhe hakmarrja dhe aktiviteti i paligjshëm si trafiqet dhe vetëmbrojtja.

“Ka dy mënyra për mbajtjen e armëve, një për atentate dhe krime dhe tjetra për vetëmbrojtes. Pamë edhe rastin kur personi qëllohet pa hyrë në makinën e blinduar, si në Athinë. Armët shërbejnë edhe për ekzaminim për të zbuluar ngjarje të tjera dhe ekzaminimi do zbulojë a janë përdorur apo jo, psh. për të zbuluar atentate të vjetra, edhe pse në shumicën e rasteve ato digjen pas atentatit. Por mund të gjenden të dhëna për ngjarje të vjetra. Po kështu procedimet dhe përgjimet e kryera nga hetuesit dhe që mund të çojnë te zbardhja”, u shpreh eksperti.

Kurse psikologia Lekli ndau një mendim ndryshe, duke theksuar se faktori shpirtëror te qytetari është i rëndësishëm dhe Policia apo shteti duhet t’ua japi nëpërmjet operacioneve të tilla si i sotmi (12 Dhjetor).

“Duke parë situatën në Shkodër, aty kanë ndodhur disa krime dhe ka shqetësim dhe qetësia e qytetarëve është prishur. Deri diku krimet janë të paparandalueshme, por iniciativa e tillë e Policisë është qetësuese për qytetarët në aspektin psikologjik, për të parë që Policia është aty për çdokënd dhe të marrin qetësinë shpirtërore. Sepse duke parë situata të ndryshme prishet edhe qetësia shpirtërore. Mendoj se është pjesa e besimit te punonjësit e policisë, nuk mund të themi se meqë një punonjës apo punonjëse nuk ka bërë punën e tij apo të saj, institucioni Policisë së Shtetit nuk funksionon. Por edhe fakti se edhe kur e dinë njerëzit se kush është autori i krimit, ata frikësohen, nuk duan të përfshihen, ndoshta kanë frikë nga pala tjetër, se duke qenë qytete të vogla, mund të zbulohet se kush e ka bërë. Unë mendoj se është çështje besimi”, tha Lekli.