Në koalicionin qeverisës thonë se do t’i trajtojnë me seriozitet vërejtjet e aleatëve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër. Pas vizitave të zyrtarëve të lartë të NATO-s, si dhe shefit të CIA-s në Kosovë, zyrtarët e partisë në pushtet deklarojnë se çdo konsultim me aleatët është i nevojshëm, mirëpo sipas tyre s’ka asnjë arsye që të ndalet shtrirja e sovranitetit në veri.
Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës konsiderojnë se ekzekutivi është tërhequr nga vendimi për hapjen e urës së Ibrit, pas presionit ndërkombëtarë.
Megjithatë, analistë politik konsiderojnë se heshtja e qeverisë në lidhje me këtë temë është më shumë kthim i racionalitetit.
Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e partisë Guxo, Haxhi Avdyli thotë se organet e sigurisë në Kosovë janë të gatshëm të ballafaqohen me të gjithë ata që mendojnë destabilizimin në veri.
“Çdo konsultim me këta akterë është i nevojshëm. Ne i marrim me seriozitet çdo vërejtje apo paralajmërim të tyre, por s’ka arsye të mos ndalet shtrirja e sovranitetit siç është duke ndodhur. Mendoj se ura është më shumë një simbol i ndarjes sesa ndonjë problem i madh. Organet e sigurisë janë të gatshëm të ballafaqohen me ata të cilët mendojnë të destabilizojnë. Ne do t’i dëgjojmë me vëmendje paralajmërimet e miqve tanë se kush po e kërcënon sigurinë dhe Kosova do të jetë e gatshme të ballafaqohet me ta”, thotë deputeti i mazhorancës.
Mirëpo, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, deklaron se heshtja e qeverisë në raport me hapjen e urës së Ibrit ndërlidhet me vizitat e zyrtarëve të lartë të NATO-s, si dhe shefit të CIA-s në Kosovë.
Sipas tij, çdo veprim në veri duhet të merret në koordinim me aleatët që janë përgjegjës për sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Ajo çka kam parë në ditët e fundit është një heshtje e plotë për veprimet që duhet të ndërmerren atje, gjë e cila ka qenë e pritshme që nga fillimi….8:42(Vendimet për veriun) Duhet të merren në koordinim me aleatët që janë përgjegjës për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Mungesa e këtij koordinimi shkon në dëm të Kosovës dhe është në shërbim që iu bëhet vendeve jo mike të Kosovës”, thekson Hoti.
Ndërkaq, analisti politik, Albinot Maloku thekson se javët e fundit qeveria po vepron me racionalitet në raport me hapjen e urës së Ibrit.
“Mendoj se është më shumë kthim i racionalitetit sesa tërheqje. Kur e them këtë mendoj se qeveria tani ka mësuar se cilët janë faktorët vendosës në çështjet specifike që kanë të bëjnë për Kosovën, siç është rasti për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Qeveria e mori vesh se nuk janë te vullneti i qytetarëve duan apo s’duan, pasi për qytetarin moti është dashur të hapet ura. Këtë po dua të shoh më shumë si kthim të racionalitetit të qeverisë, në raport me fuqinë dhe kompetencën e vet për të ndërmarrë diçka që më shumë ka qenë populiste duke anashkaluar faktorët që vendosin sesa vullneti i pastër që të ecet përpara”, deklaron Maloku.
Gjatë kësaj jave në Kosovë ka qëndruar ndihmës-sekretari i përgjithshëm për operacione të NATO-s, Thomas Goffus, ndërkaq javën e kaluar ka qenë shefi i CIA-s, William Burns.
Po ashtu, gjatë javës kryeministri Kurti është pyetur por nuk është përgjigjur për urën. Ndërsa, në mbledhjen e Qeverisë tha se derisa po presin raportin përfundimtarë për qëndrushmërinë dhe po intervenojnë në rregullimin e dukjes së saj, theksoi se urat janë për levizje të lirë në Kosovë e në gjithë vendet e BE-së./kp