Lajme

Osmani në Katar: Familja, bërthama më e fortë që e mbajti gjallë rezistencën e popullit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Konferencën e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes i cili po mbahet në Doha të Katarit.

Osmani në panelin kryesor “Pse kanë rëndësi politikat familjare?” ka thënë se në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, familja ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lartë dhe identitetin kombëtar mbi të gjitha.

Po ashtu ajo ka njoftuar se në këtë panel ka folur edhe për politikat në Kosovë që “fuqizojnë familjet e reja dhe gratë”.

“Në vitet më të rënda për popullin tonë, familja ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lart dhe identitetin kombëtar mbi të gjitha. Edhe sot, familja mbetet një ndër shtyllat më të forta prapa çdo suksesi individual e kolektiv dhe bazament për politika të suksesshme sociale dhe ekonomike”, ka shkruar ajo në Facebook./teve1.info/