Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se psikologia Arjeta Musliu i është bashkuar listës së saj zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, ku ajo do të garojë në bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Osmani ka vlerësuar Musliun si një figurë me përkushtim të veçantë në fushën sociale dhe shëndetit mendor, duke kujtuar edhe dekorimin e saj me Urdhrin Presidencial “Shotë Galica” gjatë mandatit të saj si presidente.
Sipas Osmanit, Arjeta Musliu është themeluese e qendrës “Ri-Jeta”, e cila ofron mbështetje për personat e varur nga substancat narkotike dhe familjet e tyre. Ajo e ka themeluar këtë qendër pas një përvoje personale të dhimbshme, humbjes së djalit të saj si pasojë e varësisë nga droga.
Osmani e ka përshkruar Musliun si një grua që e ka shndërruar dhimbjen personale në mision për të ndihmuar të tjerët, duke theksuar se puna e saj i jep shpresë familjeve që përballen me probleme të varësisë dhe të rinjve që kanë nevojë për mbështetje.
“Me një plagë që shumëkush nuk e sheh, por që ajo e ka kthyer në forcë. Në vend që ta thyejë, ajo e ka shndërruar në mision për të shpëtuar jetë, për t’u dhënë zë familjeve që luftojnë në heshtje, për t’u rikthyer shpresën atyre që e kanë humbur. Kjo është Arjeta Musliu. Një grua që nuk vjen në këtë rrugëtim për veten e saj, por për çdo nënë që zgjohet çdo ditë me frikën për fëmijën, për çdo motër e vëlla që nuk pranon të dorëzohet, për çdo familje që ka përjetuar dhimbjen e varësisë nga substancat narkotike, për çdo të ri që ka nevojë për një dorë që e nxjerr nga errësira”, ka shkruar Osmani.
