Lajme

Osmani “shkrihet” në LDK me njerëzit e vetë, udhëheq listën e kësaj partie më 7 qershor

Vjosa Osmani pritet të jetë bartëse e listës së LDK-së, në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ish presidentja planifikohet se do të jetë edhe kandidate e kësaj partie për presidente të shtetit, në çfarëdo kalkulimi eventual në të cilin Lidhja Demokratike mund të përfshihet, pas zgjedhjeve, për postin më të lartë institucional në vend.

Në anën tjetër, kryetari aktual Lumir Abdixhiku është paraparë të konfirmohet edhe njëherë si kandidat për kryeministër i LDK-së.

Kështu ka deklaruar për KosovaPress një burim i mirinformuar për ecurinë e bisedimeve të subjektit të tretë politik në vend, me ish presidenten.

Sipas tij, nëse nuk ndodh “befasi” në ndërkohë, Osmani planifikohet se do të bashkohet më LDK-në, më së largu në fund të kësaj jave, por jo duke bërë koalicion parazgjedhor si pjesë e ndonjë nisme a liste të veçantë nga Lidhja Demokratike.

“Ajo sigurisht që do të ketë një mori të emrave për të cilët do të kërkojë të futen në listën zgjedhore të LDK-së. Pra, nuk pritet të ketë koalicion të LDK-së me një nismë që udhëhiqet nga Vjosa Osmani. Ajo thjesht pritet të vijë me njerëzit e saj për t’u bërë pjesë e listës së LDK-së dhe për të qenë bartëse e kësaj liste”, tha burimi.

Vetë Osmani nuk ka dashur të tregojë, të martën, se si do të jetë partneriteti i saj politik me LDK-në.

“Nuk është mirë me spekulu. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush”, tha ajo. “Kurdo që kemi diçka për t’ju thënë do t’ju themi …”, shtoi ish presidentja.

Të Ngjashme