Lajme

“Pa shqiptarët, Maqedonia shpërbëhet” – Muhamet Kelmendi ‘shpërthen’ ndaj Bekim Salit

Profesori Muhamet Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, i cili tha se “studentët nga Kosova dhe Shqipëria tentuan ta destabilizojnë Maqedoninë e Veriut”.

Kelmendi e cilësoi këtë deklaratë si të papranueshme dhe me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve. Ai tha se protestat studentore nuk mund të konsiderohen destabilizuese, ndërsa akuzoi autoritetet maqedonase se po heshtin ndaj grupeve që promovojnë idenë e “Serbisë së Madhe”.

Sipas tij, shqiptarët janë faktor kyç në Maqedoninë e Veriut dhe pa barazi të plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk mund të ketë stabilitet në shtet.

Shkrimi i tij:

Bekim Sali, zevendeskryeminister nga Vlen ne Maqedoni te Veriut, tha:

“Studentët nga Kosova dhe Shqipëria tentuan ta destabilizojnë atdheun tonë, Maqedoninë e Veriut.”

Nga kjo thënie vërehet një urrejtje e papërmbajtur e zëvendëskryeministrit të shtetit.

Ky fytyrë mjerani nuk e sheh demonstratën e organizuar nga partia e Vuçiçit në Kumanovë. Ndërsa protestat e studentëve i cilëson si “destabilizuese”. Kjo është një marrëzi që vetëm ndonjë element sllavomadh me gjuhë shqipe mund ta thotë.

Protesta e vërtetë destabilizuese ishte ajo për “Serbinë e Madhe”. Ata e deklaruan hapur këtë, por askush nuk merret me atë çështje.

Nëpërmjet kësaj po duket se Bekim Sali, si shqipfolës, është vegël e sllavomaqedonëve dhe e ultrashovinistëve serbë. Ndryshe nuk ka shpjegim.

Maqedonia e Veriut merr frymë vetëm së bashku me shqiptarët. Pa shqiptarët ajo shpërbëhet.

Qeveria maqedonase, dhe posaçërisht Mickoski, duhet ta dinë këtë. Nuk duhet të luhet me zjarrin, sepse vetë do të digjen.

Maqedonisë i duhet paqja. Ajo realizohet vetëm me vlerësimin dhe barazinë e shqiptarëve me sllavomaqedonët. Rrugë tjetër nuk ka.

Pa shqiptaret e pret Maqedoninë ndarja dhe copëtimi. Ose bashkë me shqiptarët e barabartë në këtë shtet, ose këtij shteti do t’i vijë fundi.

Të Ngjashme