Një telefonatë në stacionin policor të Lipjanit i solli pesë policë.
Kjo pasi brenda këtij lokali, u pa një person në kërkim nga organet e rendit.
E më të arritur këtu, zyrtarët policorë, fillimisht i kërkuan dokumentet e identifikimit.
Por, televizioni mëson se K.G, u tha atyre se nuk i kishte me vete.
Në këtë formë, për disa minuta, zyrtarët policor biseduan me personin e dyshuar.
Siç shihet edhe në videon ekskluzive që e ka siguruar Tëvë1, K.G dyshohet se u kërkoi policëve ta telefonojë dikë nga anëtarët e familjes.
Por në vend të telefonit, i dyshuari e nxjerr revolen më të cilën shtie drejt vetës.
E në këtë moment, ndërhyjnë policët të cilët për momentin arrijnë ta shmangin më të keqën.
Pavarësisht kësaj, Tëvë1 mëson se K.G arriti ta plagos rëndë vetën në nofull, ndërsa për gjendjen e tij, të mërkurën nuk kanë kthyer përgjigje nga QKUK.
Por, si erdhi deri tek rasti?
Tëvë1 mëson se e përfshirë në këtë rast, dyshohet të jetë edhe një zyrtare policore, e cila është personi që i njoftoi kolegët për vendndodhjen e të dyshuarit.
“Me datë 11.06.2026 rreth orës 21:15 më ka kontakuar numri 04******* të cilin nuk e kam njohur, ja kam dërguar një pikëpyetje në mesazh dhe më ka shkruar se jam K. Të njëjtin e kam bllokuar menjëherë pasi që i njëjti për një kohë më ka përndjekur dhe me datë 06.06.2026 në Stacionin Policor Qendra kam shkuar dhe e kam raportuar në lidhje me shqetësimet që mi ka bërë i njëjti, sot gjatë ditës hetuesi B.M më ka kontaktuar dhe më ka kërkuar që ta identifikojë të njëjtin pasi që e kishte gjetur në sistemet e policisë ku të njëjtin e kam identifikuar përmes fotografisë dhe jam njoftuar se i njëjti është recidivist i disa veprave penale dhe ka urdhëresë për vuajtje të dënimit prej 50 ditë për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje’, gjë të cilën s’kam pasuar njohuri deri më sot”, njofton Policia e Kosovës.
Zyrtarja, emër i njohur për redaksinë, ka shpjeguar se si njëjti kishte vazhduar sërish ta kontaktojë.
“Pasi që e kam marrur telefonatën dhe mesazhin kam njoftuar hetuesin që i njëjti po më kontakton pra dhe më ka udhëzuar që në rast se e shoh ta informojë Policinë menjëherë, në rrjetin Ëhatsapp prapë më ka kontaktuar një numër tjetër i panjohur 04*******, ja kam dërguar një pikëpyetje të njëjtit dhe i njëjti ma dërgon një fotografi selfie të tij e cila mund të shihet vetëm një herë dhe ma shkruan se jam në Lipjan, kur e kam hapur fotografinë e kam njohur ambientin që është në Restaurantin M**** dhe kam kontaktuar policin A.B ku të njëjtin e kam njoftuar se një person me urdhëresë për vuajte të dënimit me 50 ditë burg për ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe që kërkohet nga Hetimet gjindet në këtë restorant dhe policët menjëherë iu kanë përgjigjur këtij njoftimi tim dhe unë jam larguar nga stacioni”, sqaron ajo.
Për sjelljen e policëve të pranishëm në vendngjarje, Tëvë1 ka pyetur në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Këta të fundit e konfirmuan rastin, por që nuk dhanë detaje shtesë, nëse është intervistuar edhe zyrtarja policore e përfshirë në rast.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju konfirmon se është duke hetuar këtë rast. Për shkak të integritetit të procesit hetimor në këtë fazë nuk mund të ipen detaje shtesë”, ka bërë të ditur IPK për Tëvë1.
Ndryshe, rasti është paraqitur edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, i cili është cilësuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i pa autorizuar i armës”.
