Lajme

Papa Françesku në meshën e Marsejës: Kisha, Evropa, kanë nevojë për një hov të ri

Mesha në stadiumin Vélodrome të Marsejës ishte veprimtaria e fundit e Papës Françesku në udhëtimin e tij të 44-t apostolik, gjatë të cilit qëndroi dy ditë në qytetin bregdetar francez, ku nesër përfundojnë Takimet Mesdhetare (Rencontres Méditerranéennes), të cilat mblodhën ipeshkvijtë nga të gjitha vendet, që lagen nga Mesdheu – e, edhe nga Shqipëria – për të folur mbi sfidat e emigracionit, të dialogut e të paqes.

Hov i ri feje

Duke pasur parasysh historinë e shën Marisë e të kushërirës së saj, shën Elizabetës, së cilës i hovi fëmija në bark, kur iu afrua Zoja e Bekuar, që mbante në kraharor Birin e Zotit, Papa Françesku i kërkoi Kishës, por edhe Francës e mbarë Evropës, një “hov të ri feje, dashurie e shprese”. Kjo do të thotë të prekesh shpirtërisht, shpjegoi Ati i Shenjtë, ta ndiesh se diçka të lëviz në zemër.

“Është e kundërta e një zemre pa emocione, të ftohtë, që dëshiron vetëm një jetë të qetë, e cila blindohet në indiferencë dhe bëhet e papërshkueshme, që ngurtësohet, e pandjeshme ndaj gjithçkaje dhe ndaj të gjithëve, madje, edhe ndaj skartimit tragjik të jetës njerëzore, e cila sot refuzohet në shumë njerëz që emigrojnë, në shumë fëmijë të palindur dhe në shumë të moshuar të braktisur. Një zemër e ftohtë dhe pa emocione tërhiqet zvarrë në mënyrë mekanike, pa pasione, pa hove, pa dëshira”.

Papa denoncoi të ashtuquajturat “pasione të trishta”, si cinizmi, zhgënjimi, dorëzimi, pasiguria, ndjenja e përgjithshme e trishtimit. Përkundrazi, vërejti ai, para misterit të jetës personale dhe para sfidave të shoqërisë, ata që besojnë në Zot e kanë një pasion, një ëndërr, një interes, që i nxit të impenjohen. Ata e dinë se Zoti është i pranishëm në jetën e tyre, i thërret, i fton të dëshmojnë Ungjillin për të ndërtuar një botë të re, përmes butësisë, dhuratave e karizmave të marra prej Hyjit.

Hovi i zemrës para të afërmit në nevojë

Feja, vazhdoi Papa, përveçse bën të hovë zemra para jetës, e bën atë të hovë edhe para të afërmit. “Qytetet tona metropolitane dhe shumë vende evropiane si Franca, në të cilat bashkëjetojnë kultura dhe fe të ndryshme, janë sfidë e madhe kundër individualizmit, kundër egoizmit dhe mbylljeve, që prodhojnë vetmi dhe vuajtje”, theksoi Françesku. Ata që kanë fe të fortë, nënvizoi më pas, mësojnë nga Jezu Krishti të preken nga historitë e njerëzve, që u jetojnë pranë, të ndiejnë në zemra mëshirë para plagëve të atyre, që takojnë. Ati i Shenjtë përmendi shembullin e shenjtorëve francezë, si shën Vinçenc de Pauli, por edhe historinë e pasur me shenjtëri, me kulturë, me artistë e mendimtarë, që kanë apasionuar breza të tërë.

“Edhe sot jeta jonë, jeta e Kishës, Franca, Evropa kanë nevojë për këtë: për hirin e një hovi, një hov të ri feje, dashurie e shprese. Kemi nevojë ta gjejmë sërish pasionin dhe entuziazmin, të rizbulojmë shijen e impenjimit për vëllazërimin, të guxojmë sërish t’i përkushtohemi dashurisë në familje dhe më të brishtëve, si edhe të gjejmë në Ungjill atë hir, që e shndërron dhe e bën të bukur jetën”.

Papa Françesku e përfundoi meshën dhe e përshëndeti Marsejën e Francën, duke u kërkuar sidomos të krishterëve t’u digjet zemra nga flaka e Shpirtit Shenjt, nga pyetjet e bashkëkohësve, nga sfidat e Mesdheut, nga britma e të varfërve, nga “utopitë e shenjta” të vëllazërimit e të paqes, që presin të realizohen. Iu lut për këtë Zojës së Rojes, që lartohet mbi Marsejë e, me fjalët e poetit francez Paul Claudel, e falënderoi: “O Nënë e Jezu Krishtit, të qofsha falë!”